KRYEFAQJA » LAJME » Rama : Lungomare-një vijë bregdetare e standardeve më të lartë të Mesdheut
Rama : Lungomare-një vijë bregdetare e standardeve më të lartë të Mesdheut

Rama : Lungomare-një vijë bregdetare e standardeve më të lartë të Mesdheut

Kryeministri Edi Rama ka premtuar se shëtitorja e Vlorës e njohur si Lungomare, do të jetë një vijë bregdetare e standardeve më të lartë të Mesdheut. Deklaratat e tij zoti Rama i bëri pasi në fundjavë vizitoi kantierin e kësaj vepre mjaftë të debatuar mes qeverisë dhe opozitës. “Kjo është një vepër shumë komplekse me shumë detaje në punime inxhinierike të jashtëzakonshme për shkak të gjithë problematikës të kanalizimeve që deri dje derdheshin në det, të përmbytjeve që vinin si rezultat i mungesës së kanalizimeve normale dhe mbi të gjitha i domosdoshmërisë për ta transformuar në një vijë bregdetare të standardeve më të lartë të Mesdheut” tha zoti Rama. Sipas tij “Ajo që ka rëndësi është që të ecim me ritëm dhe me cilësi shumë të lartë dhe këtu përftohen hapësira spektakolare që deri dje ishin ose të bllokuara nga ndërtime abuzive ose ndërtime tërësisht jashtë çdo lloj kriteri ose nga ferra dhe ujëra të zeza”.
Ndërtimi i Lungomares përgjatë pesë kilometrave në bregdetin e qytetit të Vlorës, vazhdimisht është sulmuar ashpër nga kundërshtarët e kryeministrit Rama. Opozita e ka akuzuar veçanërisht për vonesa në realizimin e projektit dhe për abuzime me fondet. Punimet për vijën bregdetare të Vlorës u inaguruan nga kryeministri Rama më 5 gusht 2014 dhe me këtë rast ai premtoi një transformimi rrënjësor të zonës.