KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Rama: Masa lehtësuese për 85 për qind të biznesit shqiptar
Protesta e PD, Rama: Ç'shëmti e trishtueshme!

Rama: Masa lehtësuese për 85 për qind të biznesit shqiptar

Qeveria shqiptare lajmëroi marrjen e masave lehtësuese për biznesin shqiptar, vecanërisht biznesin e vogël. Kryeministri Edi Rama u takua të hënën në mesditë në selinë e qeverisë, me përfaqësues të biznesit të vogël. Pak ditë më parë ata kishin protestuar për hyrjen në fuqi të Ligjit për procedurat Tatimore, i quajtur ndryshe ligji i supergjobave, por edhe për sjelljen e vrazhdë të punonjësve të tatimeve dhe taksave gjatë.
Zoti Rama ju prezantoi masat e reja që përmban paketa fiskale e vitit 2016, nga të cilat do të përfitojnë sipas tij biznesi i vogël, ose rreth 85 për qind e biznesit në tërësi. “Të gjitha bizneset me xhiro nga 0 deri në 50 milionë lekë xhiro në vit, nuk do të paguajnë më asnjë taksë. Ndërsa çdo biznes me xhiro vjetore nga 5-8 milionë në vit, mbetet subjekt i TVSH-së, por për këto do të ulim tatimin mbi fitimin, nga 7.5 në 5 për qind” tha kryeministri Rama.
Zoti Rama foli edhe për nevojën e një standarti të ri të sjelljes së administratës tatimore ndaj bizneseve. “Megjithëse po aplikohen masa ndëshkimore ndaj inspektorëve tatimorë që kanë shkelur rregullat, kësaj sjelljeje abuzive do t’i jepet fund një herë e mirë nga fillimi i vitit të ardhshëm. Nga kontrolli i administratës tatimore janë marrë 1060 vendime për shkelje administrative nga ana e tatimorëve. Një pjesë e mirë e shkeljeve, ndër to dhe 40 vepra penale, janë konstatuar falë kurajos qytetare për të denoncuar” tha kryeministri Rama.
Deklarimet e zotit Rama shihen si një përpjekje për të zbutur pakënaqësinë e biznesit nga ana e qeverisë, pas operacioneve kundër informalitetit të ndërmarrë nga kjo e fundit që nga fillimi i muajit shtator. Pavarësisht se qeveria ka deklaruar se këto operacione kanë synuar futjen e biznesit në rrugën e ligjshmërisë dhe jo raprezalje ndaj tyre, përfaqësues të biznesit janë shprehur më shumë se skeptikë. Megjithatë rezultatet e arritura, nga qeveria dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare ekonomike janë konsderuar si inkurajuese.