KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Rama mbron koncesionet dhe partneritetin publik privat
Rama mbron koncesionet dhe partneritetin publik privat

Rama mbron koncesionet dhe partneritetin publik privat

Kryeministri socialist Edi Rama ka mbrojtur me vendosmëri konçesionet e dhëna nga qeveria e tij , duke deklaruar se ato do të vazhdojnë edhe më tej në të ardhmen, ndërsa do të thellohet filozofia e partneritetit publik-privat. Zoti Rama i cili është vënë në qendër të akuzave nga opozita për koncesione sipas saj korruptive, deklaroi të martën në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar shifra për të argumentuar të kundërtën. “Nga viti 2005 në 2013-n janë dhënë 173 koncesione, ndërkohë që sot, në këtë përfolje të madhe mbi “atdheun që po jepet me koncesion”, janë bërë vetëm 14 kontrata partneriteti publik-privat” tha zoti Rama. Kryeministri i cilësoi si spekulime deklarimet lidhur me koncesionin dhjetë vjeçar të kontrollit shëndetësor. “Nuk është 120 milionë, por 64 milionë dollarë për 10 vite” tha zoti Rama ndërsa kujtoi edhe përfitimet nga ky shërbim për qytetarët shqiptarë.
Duke ju referuar debatit më të fundit lidhur me koncesionin e shërbimit të TVSH, ai tha jo pa ironi: “Dëgjoj që thonë sesi mund t’i lihet privatëve???… E dini ju që të gjithë bazën e të dhënave të tatimorëve të Shqipërisë e kanë austriakët? Austriakët e kontraktuar nga qeveria shqiptare e mëparshme për të bërë programin kompjuterik të menaxhimit të riskut, që mbledh të gjitha të dhënat? Atëherë, ku është problemi?” shtroi disa pyetje kryeministri socialist.
Me të njëjtën vendosmëri zoti Rama mbrojti edhe filozofinë e partneritetit publik-privat që po ndjek qeveria socialiste. “Dua t’i siguroj të gjithë sipërmarrësit se ne jo vetëm nuk tërhiqemi nga këto lloj sulmesh barbare balte, por përkundrazi do të vazhdojmë vendosmërisht që të ftojmë partnerë privatë për të ndërtuar shkolla, infrastrukturë sociale, rrugë, si dhe për të bërë shërbime të tjera”, tha kryeministri shqiptar Edi Rama.