KRYEFAQJA » LAJME » Rama mbron ministrinë e brendshme dhe policinë
Rama mbron ministrinë e brendshme dhe policinë

Rama mbron ministrinë e brendshme dhe policinë

Kryeministri socialist Edi Rama e ka cilësuar si të pazëvendësueshme punën e Ministrisë së Brendshme dhe policisë shqiptare në ndihmë të proceseve integruese të Shqipërisë. “Po të mos ishte reforma në policinë e shtetit dhe rezultatet e arritura Shqipëria nuk do ta kishte marrë statusin e vendit kandidat që në radhë të parë ishte afirmimi i besimit të krijuar në Bruksel se ne mund të bëjmë shtet” tha zoti Rama gjatë një cermonie të mbajtur në Tiranë për aplikimet e reja në Akademinë e Policisë së Shtetit. Duke u ndalur veçmas tek operacioni antidrogë  në Lazarat, por edhe operacione të tjera gjatë dy viteve e gjysëm në pushtet, kryeministri Rama tha se “ata që humbën miliardat nuk kanë humbur fuqinë e tyre për të luftuar me maskat e politikës dhe medias”. “Arrestimi i gangove lokalë ishte pjesa e dukshme, ndërsa flakët dogjën një bankë paratë e së cilës nuk qarkullojnë më dhe ata që përfitonin miliarda kanë humbur miliarda…” tha kryeministri socialist.

Zoti Rama mbrojti me superlativa ministrin e brendshëm Saimir Tahiri, sipas tij më i godituri nga industria e përbaltjes dhe e krimit. Vetë zoti Tahiri, i pranishëm në takim, përsëriti akuzat e njohura kundër drejtësisë shqiptare. “Ka edhe punonjës që ndjehen të dekurajuar, pasi kriminelët që ata kapin në rrugë dalin përsëri nga burgu, brenda fare pak kohësh e nuk mbajnë përgjegjësi. Drejtësia e pabarabartë është më keq se sa të mos kesh drejtësi hiç” tha ministri Tahiri. Ai ju referua rastit të denoncuar prej tij edhe tek presidenti i republikës, ku një person i arrestuar me armë pa leje u lirua nga një gjykatës në Gjykatën e  Vlorës. Zoti Tahiri i bëri thirrje Unionin e Gjyqtarëve që të mos bëhet palë me gjykatës të korruptuar, pasi ata ishin  ankuar duke e quajtur ankimin e ministrit si presion ndaj gjyqtarëve.