KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Rama: Më 1 mars 100 milionë dollarë për paga dhe pensione
Rama: Më 1 mars 100 milionë dollarë për paga dhe pensione

Rama: Më 1 mars 100 milionë dollarë për paga dhe pensione

Edhe një herë kryeministri socialist Edi Rama ka folur për planet e qeverisë së tij për rritjen e pagave dhe pensioneve, falë kjo përmirësimit të financave nga reformat e ndërmarra gjatë tre vjetëve në pushtet. “Reformat tona kanë nisur të japin rezultatet e para, por na duhet çdo ditë punë më e madhe dhe këmbëngulje më e fortë, e sigurisht kohë e domosdoshme dhe durim shëmbullor për t’i çuar përpara këto reforma dhe për të marrë në këtë rrugë të re rezultate ende shumë më të prekshme vit pas viti, hap pas hapi në çdo sektor” tha zoti Rama gjatë komunikimit javor me publikun në Fejsbuk. Sipas tij “Falë këtyre reformave, sot Qeveria është gati të zhvendosë 100 mln dollarë për vitin e ardhshëm, që është shuma më e madhe e vënë ndonjëherë në dispozicion”.
Për ta bërë më të kuptueshme këtë shifër zotit Rama tha se “Qeveria e mëparshme, ndau nga buxheti i shtetit për rroga dhe pensione, 124 milionë dollarë në 8 vjet”. “Ndërsa ne jo vetëm i ndajmë në një vit buxhetor, por duke llogaritur edhe 100.4 milionë dollarë që janë ndarë në këto tri vite nga ulja e taksës mbi rrogën, plus 40 mln dollarë nga i njëjti mekanizëm i uljes së taksës vitin e ardhshëm, arrijmë që falë kësaj faze të parë reformash të spostojmë në xhepat e punonjësve tanë dhe pensionistëve, 240.4 milionë dollarë brenda një mandati të vetëm” tha kryeministri socialist. Përfituesit më të mëdhenj nga kjo rritje duket se do të jenë ata që përfitojnë aktualisht rrogën minimale. “Pas kësaj rritjeje, rroga minimale në vendin tonë do të jetë më e lartë se në Kosovë, Serbi dhe në Malin e Zi dhe pak më e ulët se në Maqedoni sepse ne do ta rrisim atë me rreth 35 përqind” tha zoti Rama. Kryeministri bëri ndërkohë të ditur se rritja e pagave dhe pensioneve hyn në fuqi nga 1 marsi i vitit të ardhshëm. Ai pranoi se “Nevojat e shqiptarëve janë ende shumë më të mëdha” por shtoi se ” ambicia ime, ambicia jonë për Shqipërinë është shumë më e madhe”.