KRYEFAQJA » LAJME » Rama me nxënësit e shkëlqyer: Ju shembulli e modeli më frymëzues!
Rama me nxënësit e shkëlqyer: Ju shembulli e modeli më frymëzues!

Rama me nxënësit e shkëlqyer: Ju shembulli e modeli më frymëzues!

Nxënës të shkëlqyer nga shkolla të ndryshme të vendit ishin mbrëmjen e së mërkurës, të ftuarit e veçantë të Kryeministrit Edi Rama, në Pallatin e Brigadave në Tiranë. Zoti Rama me një fjalim të ndjerë ka vlerësuar ata për rezultatet dhe i ka inkurajuar për të ardhmen. “Ndër gjithë shembujt e modelet, ju jeni pa as më të voglin dyshim, shembulli e modeli më frymëzues, sepse ju përfaqësoni një të vërtetë sa të thjeshtë dhe të madhe, që asgjë nuk është e pamundur, nëse njeriu ka kurajon të shikojë ëndrra të mëdha dhe vullnetin që t’i ndjekë ëndrrat e tij” tha zoti Roma.
Duke kujtuar fjalët e humanistes së madhe me origjinë shqiptare Nënë Tereza, “Në vend që të mallkosh errësirën, ndiq një qiri”, zoti Rama tha se “Nëse çdo kush do të ndizte qiririn e dritës së vetë, atëherë errësira shoqërore, errësira e përgjithshme do të mundej”. “Ju, ju drejtua kryeministri nxënësve më të mirë të vendit, jeni një shembull i madh dhe shumë i respektuar në këtë aspekt sepse ju provoni me 10-tat tuaja dhe me faktin se jeni më të shkëlqyerit se është jo vetëm e mundur, por është edhe rruga më e sigurt drejt dritës, që në vend që të mallkosh errësirën dhe t’i dorëzohesh dëshpërimit që shkakton errësira, të ndezësh një dritëz të vogël dhe të kërkosh me mund e me vendosmëri, rrugën tënde drejt dritës së madhe”.
Por fjalimi i kryeministrit Rama, më shumë se sa nxënësve, u drejtohej gjithë shqiptarëve. Duke ju referuar vizitës së tij të fundit në Izrael, tha se ky vend është një shembull i shkëlqyer i të vërtetës së madhe se vendet nuk dallohen nga ato që kanë, por nga ato që dinë. “Ka vende që nuk kanë si Izraeli, po duke ditur shumë, atëherë, popujt e tyre janë ta kamur. Ka vende që kanë shumë si Shqipëria, por duke ditur pak, popujt e tyre janë të varfër” tha zoti Rama. Duke u kthyer sërisht tek nxënësit, zoti Rama tha: “Ju jeni shembulli i një modeli për të gjithë. Edhe për mua. Ju jeni të shkëlqyer, unë nuk jam i shkëlqyer. Unë nuk e bëj detyrën time në mënyrë po kaq të shkëlqyer, saç e bëni ju dhe e them këtë pa asnjë modesti të shtirur, por me bindje”.
Kryeministri Rama u ndal edhe në përpjekjet e qeverisë për të ridimesionuar dhe zhvilluar sistemin arsimor, duke sjellë shembuj të shumtë.