KRYEFAQJA » LAJME » Rama-Meta, vendosmëri edhe më të madhe për të çuar reformat përpara dhe konsolidim të koalicionit
Rama takohet me Metën

Rama-Meta, vendosmëri edhe më të madhe për të çuar reformat përpara dhe konsolidim të koalicionit

Pas më shumë se dy orë bisedimesh mes dy bashkëdrejtuesve të koalicionit qeveritar, kryeministrit Edi Rama dhe kreut të parlamentit Ilir Meta, në prani edhe të zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe partive respektive, kanë përcjellë me deklaratat e tyre vendosmërinë për të cuar përpara reformat dhe më tej se koalicioni PS-LSI nuk ka probleme.
“Mos prisni asgjë tjetër përveçse forcim të linjës të reformave, vendosmëri edhe më të madhe për të çuar reformat përpara dhe konsolidim të këtij koalicioni. Mos prisni asgjë nga ato që fantazoni, komentoni dhe ato që analizoni vetë në këtë aspekt. Janë të gjitha fantazi që nuk kanë lidhje me realitetin” tha zoti Rama. “Edhe zgjedhjet ë parakohshme janë pjesë e kësaj fantazie” shtoi më tej ai.
“Ky është një koalicion shumë i qëndrueshëm dhe një koalicion që po funksionon në mënyrë mjaft konstruktive dhe të dobishme” tha nga ana e tij zoti Ilir Meta. Sipas tij diskutimi mbi progres raportin, ka qenë tema kryesore e bisedimeve. Ndërsa lidhur me temën e ndryshimeve në qeveri, zoti Meta tha se është bërë traditë se që në ditën e parë që krijohet qeveria fillon e flitet për ndryshime.
Kryeministri Rama ndërkaq ka komentuar edhe të quajturin projektligji i shpifjes mjaftë i diskutuar ditë e fundit. “Nisma synon këtë, që ata që paguhen nga taksat e popullit nuk mund t’i përdorin ato për të shpifur. Kurrë nuk do të cënohet asgjë që ka të bëjë me lirinë e medias, ndërsa shpifësve unë asgjë nuk do t’iu lë mangut” deklaruar vendosmërinë e tij zoti Rama.
Ndërkaq në përgjigje të protestave të biznesit të vogël, zoti Rama u ka bërë thirrje tregëtarëve që të mos bien pre sipas tij e mashtrimeve të opozitës.“Asnjë e keqe nuk u vjen nga aksioni i tatimorëve. Do të ketë lehtësim të veprimtarisë së tyre, që do të rezultojë me përfitim financiar për ta. Jo vetëm që nuk do të ketë rritje taksash, por do të ketë një ndryshim rrënjësor të shërbimit ndaj tyre” tha zoti Rama.