KRYEFAQJA » LAJME » Rama, Mustafa dhe Vuçiç diskutojnë mbi projektet e përbashkëta
Rama, Mustafa dhe Vuçiç diskutojnë mbi projektet e përbashkëta

Rama, Mustafa dhe Vuçiç diskutojnë mbi projektet e përbashkëta

Kryeministri Edi Rama gjatë pjesmarrjes në Samitin e Vjenës, zhvilloi një takim koordinativ me Kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa dhe Kryeministrin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, në të cilin u diskutua rëndësia e ndërtimit të autostradës Nish-Prishtinë-Durrës, njoftohet në faqen e internetit të qeverisë. Në këtë takim morën pjesë edhe drejtuesit e BERZH (Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim) dhe BEI (Banka Europiane për Investim), si edhe Ministri i Jashtëm austriak Kurz dhe Komisioneri Hahn.
Kryeministri shqiptar Rama theksoi se të dy projektet e mëdha të infrastrukturës, autostrada Nish-Prishtinë-Durrës dhe autostrada Adriatiko-Joniane, janë projekte europiane, të cilat nxisin ndërlidhjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërtimi i këtyre dy autostradave do të rrisë shkëmbimet tregtare në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe do të nxisë turizmin mes këtyre vendeve. Zoti Rama sugjeroi që ndërtimi i këtyre dy projekteve të fillojë sa më shpejt, ndërsa kërkoi ekspertizë dhe mbështetje financiare të Komisionit Europian dhe institucioneve financiare si BERZH dhe BEI.
Kryeministri serb Vuçiç, duke theksuar rëndësinë e autostradës Nish-Prishtinë-Durrës, tha se falë këtij projekti, Beogradi do të lidhet me Prishtinën në më pak se tre orë, ndërkohë që porti i Durrësit do të kthehet në pikën më të afërt detare për Serbinë.
Në fillim të vitit 2016 pritet të përfundojë studimi i fizibilitetit për të dyja projektet, ndërkohë BERZH dhe BEI, në bashkëpunim me institucionet e Bashkimit Europian, do të ndihmojnë në financimin e këtyre dy autostradave që do të lidhin Shqipërinë me vendet fqinje dhe Bashkimin Europian.