KRYEFAQJA » LAJME » Rama: “Na duhet një PS e riformuar dhe e ripërtërirë fizikisht dhe riorganizuar territorialisht dhe e transformuar rrënjësisht në përbërjen e saj sociale”
Rama: Referendum për mua si kryetar i PS

Rama: “Na duhet një PS e riformuar dhe e ripërtërirë fizikisht dhe riorganizuar territorialisht dhe e transformuar rrënjësisht në përbërjen e saj sociale”

Në prag të mbajtjes së kongresit të ri të socialistëve, kryetari i tyre Edi Rama ka kërkuar transformimin e partisë në forcë politike të re. “Na duhet një PS e riformuar dhe e ripërtërirë fizikisht dhe riorganizuar territorialisht dhe e transformuar rrënjësisht në përbërjen e saj sociale” tha zoti Rama në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme e cila do të miratojë disa dokumente të rëndësishme. Sipas kreut socialist, partia duhet të jetë aktive me çdo komunitet dhe grup interesi dhe ndërvepruese. “Reformat tona kanë hapur një rrugë të re në një përpjetë shumë të vështirë ku asnjë forcë tjetër veç PS nuk mund ta mbajë barrën e lidershipit” tha zoti Rama. Ai paralajmëroi se “…e përpjeta e vështirë do të bëhet më e përpjetë pasi llumi i baltës kundër nesh nuk do të vijë duke u ulur, por duke u rritur”. Kreu socialist tha se “Parti politike, tribuna mediatike të rreshtuara kundër për arsye të qarta apo të paqarta. Grupe interesi jolegjitime të prekura nga reformat. Individë që i bashkohen këtij fronti natyrshëm do të duan të na zbrapsin”, por premtoi se si socialistë “…do të vazhdojmë përpara të qeverisim me kurajo e vendosmëri duke zbatuar programin tonë të reformave dhe fuqizuar forcën tonë të udhëheqjes”.
Kreu i socialistëve Edi Rama ju përgjigj edhe akuzave të njohuria ndaj tij veçanërisht nga opozita se ka kriminalizuar politikën shqiptare. “Armiqësisht duan të na baltosin si kriminelë …, por e vërteta është se kemi sjellë më shumë gra në parlament. Problemi i madh nuk është dekriminalizimi, por kriminalizimi” tha zoti Rama. (Vazhdon)