KRYEFAQJA » LAJME » Rama në Bruksel për refugjatët
Vazhdon dyndja e emigrantëve drejt Europës

Rama në Bruksel për refugjatët

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në samitin për krizën e refugjatëve mbajtur të dielën në Bruksel. Organizatorë ishin Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker dhe Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, të cilët kishin ftuar në një tryezë bisedimesh liderët e Ballkanit dhe Europës Juglindore.
Në samit u diskutua për gjetjen e një zgjidhjeje ndaj fluksit gjithnjë në rritje vecanërisht të refugjatëve nga Siria, të cilët kalojnë tranzit në vendet e Ballkanit, për t’i shpëtuar luftës në vendin e tyre. “Ky takim është një domosdoshmëri për t’u koordinuar në nivelin rajonal dhe europian dhe padyshim edhe Shqipëria ka rolin e vetë në këtë moment kaq delikat dhe të rëndësishëm për atë që jemi dhe atë që do të jemi nesër si europianë”, tha zoti Rama. “Shqipëria nuk është e prekur ende nga ky fenomen, por besohet që me ardhjen e dimrit ekziston mundësia për një rrugë të re të devijuar drejt Shqipërisë” shtoi ai.
Në terren autoritetet shqiptare kanë ngritur strukturat që po merren me përgatitjet e qendrave të posacme për të pritur refugjatët. Nuk ka njoftime zyrtare se sa është kapaciteti i këtyre qendrave, por burime të ndryshme informacioni bëjnë fjalë për rreth 10 mijë vende.