KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Rama në Hong Kong: Jeni të mirëpritur për investime dhe pushime!
Rama në Hong Kong: Jeni të mirëpritur për investime dhe pushime!

Rama në Hong Kong: Jeni të mirëpritur për investime dhe pushime!

Kryeministri shqiptar Edi Rama, u ka bërë thirrje investitorëve nga Hong Kongu dhe Kina të investojnë, por edhe të pushojnë në Shqipëri. Zoti Rama i cili në krye të një delegacioni të nivelit të lartë ekonomik ndodhet për një vizitë tre ditore në Hong-Kong, ka folur në forumin “Hong-Kong and Albania Trade & Investment Forum”. “Aktiviteti i sotëm na ofron platformën për të diskutuar për investime aktuale dhe të ardhshme në vendin tonë, sepse qeveria jonë ka për qëllim të zgjerojë axhendën e investimeve të brendshme, duke u angazhuar në biznese dhe komunitetet e investimeve të Hong-Kongut dhe Kinës”tha ai. Sipas kryeministrit shqiptar Shqipëria po riforon modelin e zhvillimit ekonomik. Ajo po rivlerëson burimet e vërteta të zhvillimit, duke filluar nga nafta dhe mineralet, energjia, turizmi, bujqësia dhe prodhimtaria. “Të investosh në Shqipëri, nuk do të thotë thjesht të investosh në Shqipëri, por të investosh në një treg shumë më të gjerë dhe të kesh potenciale më të mëdha zgjerimi në një zonë që përfshin të gjithë Ballkanin Perëndimor. Deri para pak vitesh ishte e pamundur ta imagjinoje këtë zonë si një treg të përbashkët, por sot ajo është në fakt një treg i përbashkët. Për sa i përket taksave dhe kostos së punës, ne jemi në një pozicion shumë të favorshëm, por veçanërisht kosto e punës tek ne deri tani është shumë e ulët” tha kryeministri Edi Rama.
Në përfundim ai u tha të pranishmëve se, Shqipëria është një vend ku ia vlen të vish jo vetëm për të investuar, por edhe për pushime. “Qëllimi kryesor i yni është që ta bëjmë Shqipërinë shumë tërheqëse edhe për vizitorët nga Kina, për të krijuar një treg turistik për vizitorët nga Kina. Jam i sigurt që njerëzit që janë pjesë e kësaj industrie dhe që kanë investuar jashtë shtetit, do e shikonin Shqipërinë si shumë tërheqëse nga kjo pikëpamje dhe investimet do ishin me shumë leverdi për vitet që do vijnë, sepse ato do të krijojnë padyshim mundësi shumë të rëndësishme për pushuesit nga Kina dhe Hong-Kongu” tha zoti Rama.