KRYEFAQJA » LAJME » RAMA NË KOLONJË – OPOZITA TË REFLEKTOJE

RAMA NË KOLONJË – OPOZITA TË REFLEKTOJE

PS mbylli fushatën për zgjedhjet bashkiake në Kolonjë, me thirrje për pjesmarrje masive dhe për të votuar kandidatin e majtë i cili sipas saj siguron një të ardhme më të mirë. Në Kolonjë ishte vetë kreu socialist dhe kryeministri Edi Rama i cili përcolli dy mesazhe. Së pari ftoi kolonjarët të votojnë të dielën për kandidatin e majtë, së dyti, ftoi opozitën të reflektojë për alternativën e saj politike, një mesazh që vjen pas situatës së tensionuar të kësaj të enjteje në parlament. “Flisni me demokratët, janë Kolonjarë dhe Kolonjare të mbetur rrugëve, të mbetur pa program, të mbetur pa alternativë, pa lidership. Thuajini bashkëqytetarëve tuaj është një ditë e bukur 20 nëntori, është një mundësi e madhe për ti dhënë një mesazh të qartë dhe të prerë atyre që kanë nderin e madh të përfaqësojnë opozitën në parlament dhe që e çnderojnë misionin e opozitës sa herë që hapin gojën në parlament” tha kreu socialist dhe kryeministri Edi Rama.
Koalicioni qeveritar në Kolonjë ka zgjedhur si përfaqësues të tij mjekun Ilia Stefo. Zoti Stefo premtoi para zgjedhësve tarifa zero për bizneset e artizanatit dhe turizmit, ngritjen e rrjetit të bujtinave tradicionale turistike duke ofruar grante dhe lehtësi fiskale, rivitalizimin e Banjave të njohura Termale të Leskovikut dhe ngritjen e Gjimnazit “Petro Nini Luarasi”.