KRYEFAQJA » LAJME » Rama në Kongres: “Do të dalim më të gatshëm dhe më të bindur për t’i çuar përpara reformat tona”
Referendumi i PS, fiton "PO"-ja për Ramën

Rama në Kongres: “Do të dalim më të gatshëm dhe më të bindur për t’i çuar përpara reformat tona”

PS forca me e madhe politike në Shqipëri dhe që aktualisht kryeson koalicionin qeveritar, ka nisur në Tiranë kongresin e saj të rradhës. Kreu i PS dhe kryeministri vendit Edi Rama u shpreh i vendosur se socialistët shqiptarë do të dalin nga ky kongresi më të gatshëm për të ecur në drejtimin e duhur. “Nga ky kongres do të dalim më të gatshëm dhe më të bindur për t’i çuar përpara reformat tona. Më të motivuar për ta rritur numerikisht dhe fuqizuar moralisht e politikisht PS” tha zoti Rama.
Fjalimin e tij kreu socialist e nisi me një përshëndetje të gjatë për socialistët në vite, duke kërkuar një duartrokitje të merituar për ata që, që sipas tij, i dhanë që në fillim PS karakterin e pandryshueshëm demokratik. Zoti Rama veçoi ish krijuesin dhe kreun historik të PS Fatos Nano, me të cili ka polemizuar gjatë, duke shpresuar që ai të ishte në 25 vjetorin e krijimit të partisë i cili do kremtohet në qershor. Ai falenderoi edhe bashkë-kryetarin e Aleancës për Shqipërinë Europiane, Ilir Metën, ndërsa tha se gabimet e së shkuarës nuk duhet të ndalin energjinë që bëri që të arrihen në Shqipëri reforma rrënjësore. Një urim i veçantë ishte edhe për figura të njohura të së majtës europiane, shumë prej të cilëve ishin të pranishëm, apo i kishin dërguar kongresit videomesazhe.
Zoti Rama vlerësoi maksimalisht reformat e ndërmarra, por tha se qeveria “duhet të vazhdojë përpara me kokën ulur se shqiptarët presin edhe më shumë”. “Ata janë në të drejtën e tyre, ne nuk kemi të drejtë të ankohemi në padurimin e tyre. Arsyeja pse na votuan masivisht ishte besimi se drejtimi ynë do të sillte shumë më shpejt objektivisht se ç’është e mundur atë që presin prej vitesh të ndodhë. Ne mbajtëm shënim çdo pakënaqësi të tyre” tha kryetari i PS dhe kryeministri Edi Rama. Megjithatë  ai u shpreh i vendosur dhe i bindur se vetëm PS mund ta transformojë Shqipërinë. “Është koha të hapim një dialog të ri për Shqipërinë. Njerëzit na dëgjojnë ne nga tv dhe mendojnë me të drejtë se jetojmë në një botë tjetër. Është koha që të hapet  partia Socialiste. Është koha të hapet në çdo komunitet. “Shqipëria axhenda 2025” . Mos harroni! Askush nuk i bën dot po nuk i bëri PS! ” tha zoti Rama.
Një sulm të ashpër ndërmori lideri socialist ndaj opozitës së djathtë. “Kjo nuk është opozitë. Nuk është opozita që aq shumë i duhet këtij vendi. Nuk kanë asnjë vizion, kanë gjithë atë mllef për të ushqyer fanatizmin, nuk kanë asnjë program, as në kokë, jo më ne lëtër, por kanë gjithë kurajon e paturpësisë për të qëlluar përditë me përbaltjen bajate që është shndërruar në infeksion që synon të kapë dhe prekë zemrat e njerëzve në nevojë dhe që nuk kanë fuqi të mjaftueshme të durojnë” tha zoti Rama. “S’kemi bërë asnjë padrejtësi të qëllimshëm në dëm të interesave kombëtare, të popullit dhe çdo individi. Nuk kemi shitur ne ndonjë cop territori për ndonjë përfitim mizerabël politik, nuk kemi marrë jetës fëmijësh për tu pasuruar për të shitur municione, nuk kemi nxjerrë armët për të derdhur fishekë ndaj njerëzve që protestojnë, s’kemi dhënë ne koncesione për të pasuruar kompani të dyshimta private të lidhura pas oborrit të qeveritarëve” ngriti zërin më tej kreu i PS.
Fjalimi i zotit Rama dhe i krerëve të tjerë të lartë të PS, tingëlloi edhe si një thirrje për bashkim mes socialistëve shqiptarë. “Ju drejtohem të gjithëve juve që drejtuat këto vite, PS është shtëpia juaj, ju thërret dhe ju kërkon ta falni edhe kur ka gabuar, përvoja juaj është jetike në çdo kohë për të përmbushur shpresat për një Shqipëri më të integruar në BE” sekretari i përgjithshëm i PS Gramoz Ruci.
Një nga momentet kryesore të kongresit do të jetë statuti i ri i socialistëve, veçmas ndryshimet në lidhje me vazhdimësinë e kreut të partisë. Deri tani kreu i partisë konfirmohej çdo katër vjet sipas parimit një anëtar një votë. Propozimi i ri është që kryetari rikonfirmohet nëse partia fiton në zgjedhje, ose dorëhiqet pa kushte kur humb. Në prag të kongresit ka patur mjaftë debate se përse PS nuk ka zhvilluar zgjedhjen për kryetar. Kreu i PS zoti Rama e ka justifikuar me dinamiken e zhvillimeve kur socialistët e erdhën në pushtet në vitin 2013. Ai ka propozuar një referendum për qenien ose jo të tij në krye të partisë. Por kundërshtarët e tij, veçanërisht deputeti Ben Blushi, kanë këmbëngulur në zgjedhje. Vetë zoti Rama në kongres premtoi debat për këto çështje.