KRYEFAQJA » LAJME » Rama në Maliq: Rimëkëmbja e fshatit dhe bujqësisë është një nga prioritetet e qeverisë
Rama në Maliq: Rimëkëmbja e fshatit dhe bujqësisë është një nga prioritetet e qeverisë

Rama në Maliq: Rimëkëmbja e fshatit dhe bujqësisë është një nga prioritetet e qeverisë

Kryeministri Edi Rama vazhdon të këmbënguli se rimëkëmbja e fshatit dhe bujqësisë është një nga prioritetet e qeverisë së tij. Të martën ai ka vizituar zonën e Maliqit në Korçë, ku para fermerëve ka prezantuar projektet më të fundit. Zoti Rama tha se programi për ujitjen dhe kullimin, Fondi Kombëtar i Garancisë dhe dhënia e titujve e të pronësisë të tokës bujqësore mbeten në qendër të vëmëndjes. “Ne kemi rikonstruktuar programin e mbështetjes financiare për zonat rurale për të çuar bujqësinë drejt sipërmarrjeve bujqësore dhe kthimin e familjeve fermere në një biznes të vogël apo të mesëm, pasi ushqimi është baza e jetës” tha kryeministri Rama. Sipas tij qeveria ka bërë një transformim rrënjësor për të futur linjat financiare të BE-së. Zoti Rama inkurajoi fermerët të hartojnë projekte të qarta e serioze investimi në prodhim, apo agropërpunim. “Ne kemi krijuar një fond me paratë e shtetit, që quhet Fondi i Garancisë kombëtare për bujqësinë. Ky fond ka pikërisht rolin që të sigurojë kreditë që do të marrin fermerët dhe të zbusë maksimalisht interesat. Kemi krijuar një proçedurë shumë të thjeshtë që nuk detyron fermerët të shkojnë te bankat, por ne bëjmë gjithë procesin e ndërmjetëm. Kemi një marrëveshje me 6 banka deri tani dhe  rreth 300 milion euro potencialisht që ne mund t’i thithim në këtë proces, përmes projekteve të shkruara mirë dhe aplikimeve bindëse për bankat” tha zoti Rama. Ai shtoi se “Qeveria do të mbështesë iniciativat për krijimin e bashkësive në organizimin e shitjes së produkteve bujqësore, si modeli që do të stimulojë ngritjen e pikave të grumbullimit dhe qendrave frigoriferike. Ndërsa projektet për zhvillimin e infrastrukturës sociale dhe programeve që rrisin atraksionin e agroturizmit në zonat rurale, mbeten përparësi e programit tonë” tha kryeministri Rama.