KRYEFAQJA » LAJME » Rama në OKB: Partneritet global për zhvillim të qëndrueshëm
Rama në OKB: Partneritet global për zhvillim të qëndrueshëm

Rama në OKB: Partneritet global për zhvillim të qëndrueshëm

Në vijim të vizitës së tij në New York, Kryeministri Edi Rama, iu adresua seancës së posaçme për zbatimin e Axhendës së zhvillimit post 2015, në Samitin e Kombeve të Bashkuara, ku merrnin pjesë liderë botërorë nga të gjitha shtetet anëtare. Kjo seancë e posaçme, që u përshëndet edhe nga Papa Françesku, u fokusua në çështjet e zhvillimit të qëndrueshëm.

Pas më shumë se tre vjet negociatash intensive, u ra dakord për një axhendë ambicioze dhe transformuese për Zhvillim të Qëndrueshëm të arritshëm në kufijtë e vitit 2030. Axhenda e re, e cila përmbledh 17 Objektiva të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe 169 synime, është pasuese e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit, por synon te ngrihet mbi to, ​pasi për herë të parë ajo ​i trajton dimensionet ekonomike, sociale, mjedisore dhe të zhvillimit të qëndrueshëm në një mënyrë të integruar.

Objektivat dhe synimet  synojnë zhdukjen e varfërisë ekstreme, duke luftuar pabarazinë, fuqizimin e rolit të grave dhe vajzave, mbrojtjen e burimeve natyrore, përmirësimin e qeverisjes, inkurajimin e një rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike, dhe përqendrimin e përpjekjeve kolektive për shanse të barabarta për të gjithë. Ato do të stimulojnë veprimin dhe zhvillimin për 15 vitet e ardhshëm në fusha me një rëndësi themelore.

Axhenda e re udhëhiqet nga qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë respektimin e plotë të së drejtës ndërkombëtare. Ajo është e bazuar edhe në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, Deklaratës së Mijëvjeçarit, dokumenti Botëror të Samitit të vitit 2005, traktatet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe instrumente të tjera të tilla si Deklaratën mbi të Drejtën për Zhvillim.

Për Shqipërinë, Axhenda e re globale do të shërbejë si një pikënisje për një angazhim të ri, për një program zhvillimi me ambicioz në një sërë fushash që do të harmonizojnë angazhimet europiane me nevojën për ta çuar vendin në nivelin e vendeve të zhvilluara të kontinentit.

Duke e vlerësuar axhendën si tepër kurajoze, Kryeministri Rama u shpreh në fjalën e tij se ajo është rruga për të lëvizur nga një bashkëpunim i thjeshtë në një partneritet global. Kryeministri theksoi se për Shqipërinë qëndrueshmëri do të thotë përforcimi i shtetit të së drejtës dhe vlerave demokratike shoqërore  “Kjo axhendë e re, kurajoze, ambicioze e një transformimi global është angazhimi ynë që t’i çojmë njerëzit nga përjashtimi tek gjithëpërfshirja. Nga varfëria tek rruga e begatisë, nga pasiguria tek parashikueshmëria dhe zgjidhjet, për të lëvizur nga një bashkëpunim i thjeshtë në një partneritet global.

Është pakti i një gjenerate që i ka kthyer sytë nga e ardhmja në një botë që shkon përpara me një hap më të shpejtë. Është një marrëveshje e re globale me premtimin solemn që askush nuk duhet lënë mbrapa.

Axhenda e re është universalisht e zbatueshme dhe ka të bëjë me të gjithë ne, të gjitha vendet, me të gjitha dallimet tona dhe realitetet e ndryshme kombëtare, dhe sigurisht ka të bëjë me vendin tim, Shqipërinë. Më lejoni të shpjegoj shkurtimisht pse, çfarë do të thotë për ne qëndrueshmëria për të tashmen dhe vitet në vijim. Do të thotë të përforcojmë shtetin e së drejtës, të forcojmë vlerat tona demokratike shoqërore, të thellojmë harmoninë e gjerë shoqërore. Këto janë themelet e rrugës sonë të zhvillimit dhe garancitë e kohezionit tonë social. Kohezion social, bashkëjetesë dhe bashkëpunim fetar janë ndër pasuritë kryesore të shqiptarëve kudo që ata jetojnë, jo vetëm në Shqipëri.

Shqipëria ka qenë, është dhe do të mbetet një shembull bashkëjetese, sepse kjo bazohet në një pjesë të vërtetë dhe të prekshme të historisë.”

Në vijim, Kryeministri theksoi mes të tjerash se Reforma në Drejtësi që po ndërmerret do të bashkojë më shumë shtetin me qytetarët. “Ne jemi duke ndërmarrë një reformë transformuese në drejtësi, një proces jetësor që do ta bashkojë më shumë shtetin me qytetarët, do t’i japë drejtësisë kuptimin e saj të vërtetë dhe do të ketë një ndikim më të thellë dhe pozitiv mënyrën sesi vendi do të shkojë përpara në vitet në vijim.”

Teksa iu referua vlerës më karakterizuese të shqiptarëve në shekuj, harmonisë fetare, Kryeministri u shpreh se ky shembull, u vlerësua frymëzues nga Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri.

“Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, e cila ishte dhe vizita e tij e parë në Europë, Papa Françesku deklaroi se harmonia ndërfetare e shqiptarëve është një model frymëzues për botën, e cila tregon se bashkëjetesa mes të krishterëve dhe myslimanëve, jo vetëm është e mundur, por është e dobishme për zhvillimin e një vendi, dhe se ky është një vend unik ku bashkëjetesa në paqe dhe bashkëpunim ekziston midis myslimanëve, katolikëve, ortodoksëve, të krishterë dhe njerëzve pa asnjë farë feje.”

Ndërsa vlerësoi bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, si domosdoshmëri për jetesën në paqe dhe harmoni, Kryeministri u shpreh se kjo gjë është thelbësore për qëndrueshmërinë.

“Shqipëria zhvillohet brenda një rajoni, Ballkanit, i cili akoma po përpiqet të gjejë vendin e tij të begatë në Europën e Bashkuar. Megjithatë, ende në pritje për t’u kualifikuar si anëtarë të BE-së, ne jemi duke bërë gjithçka që mundemi, ndërmjet nismave konkrete, për të sjellë më afër gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të rrisim bashkëpunimin në çdo fushë të jetës. Dihet botërisht se sa më shumë bashkëpunojmë me njëri tjetrin, sa më shumë bashkëndajmë, sa më shumë jemi të ndërlidhur, sa më shumë e njohim dhe e pranojmë njëri-tjetrin, kemi më shumë shanse që të jetojmë dhe të punojmë së bashku në paqe dhe harmoni. Sigurisht, kjo gjë është thelbësore për qëndrueshmërinë.”

Ndërkohë që Kryeministri do të mbajë fjalën e tij përpara Asamblesë së Përgjithshme Kombeve të Bashkuara në datën 2 tetor.

Marrë nga faqja e web e kryeministrisë.