KRYEFAQJA » LAJME » Rama në parlament: Asnjë aplikant nuk ngelet pa universitet
Rama në parlament: Asnjë aplikant nuk ngelet pa universitet

Rama në parlament: Asnjë aplikant nuk ngelet pa universitet

Kryeministri socialist Edi Rama mbrojti Reformën në Arsimin e lartë duke garantuar maturantët shqiptarë se asnjë prej atyre që kanë aplikuar nuk do të mbetej pa shkuar në universitet. Zoti Rama mbërriti të enjten pas dite në sallën e parlamentit, menjëherë pas takimeve të paradites në Bruksel. Ai gjeti të replikonte me ish kryetaren e parlamentit Topalli, por në fakt deklaratat e tij ishin përgjigje ndaj ish kryeministrit Berisha i cili lëshoi akuza të ashpra për qeverinë se kishte mashtruar maturantët. “As edhe një nuk ngelet pa të drejtë studimi nga ata që kanë aplikuar dhe që plotësojnë kushtet” tha zoti Rama. Sipas tij ajo që është e sigurt është që universiteti publik ofron ekzaktësisht 25 mijë vende, ndërsa 22 mijë është numri i aplikuesve. Kryeministri përsëriti disa herë se sistemi aktual i përzgjedhjes bazohej plotësisht tek merita dhe preferenca. “Më të mirët duhet të zgjedhin të parë” tha ai.
Zoti Rama akuzoi opozitën se po “bën politikë duke gjetur viktima”. “Ju fërkoni duart duke gjetur viktima. Askush, asnjëherë nuk është ndaluar jo më të ndëshkohet kush nuk paguan energjinë. Janë ndaluar ata që e kanë vjedhur. Nuk e mohoj unë që e para gjë një njeri që merret me politikë është të ndjej dhimbjen dhe e para gjë që merret një njeri me politikë në opozitë është t’i japi zë dhimbjes” tha zoti Rama. “Kjo është t’i japësh zë instinkteve më të ulëta të njeriut vetëm e vetëm për të mundur kundërshtarin e vet” shtoi ai.