KRYEFAQJA » LAJME » Rama në Prishtinë pritet nga krerët e shtetit
Rama në Prishtinë pritet nga krerët e shtetit

Rama në Prishtinë pritet nga krerët e shtetit

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i cili ndodhet në Prishtinë për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Hashim Thaçi, ka zhvilluar takime intensive.
Me homologun e tij kosovar Isa Mustafa, sikurse u shpreh vetë ky i fundit gjatë një konference për shtyp, “vlerësuam bashkëpunimin tonë vëllazëror, por edhe bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës dhe institucioneve të Republikës së Shqipërisë si dhe bashkëpunimin ekonomik”. Zoti Mustafa shënoi se “kemi arritur mjaft në implementimin e marrëveshjeve, të cilat i kemi nënshkruar vitin e kaluar dhe marrëveshjeve, të cilat janë nënshkruar edhe në takimin e parë në Prizren, pastaj në takimin në Tiranë në shumë fusha, në fushën e ekonomisë, në fushën e arsimit, në fushën e shkencës, në fushën e kulturës, në fushën e bashkëpunimit tregtar”.
Nga ana e tij kryeministri Rama tha se “Me kryeministrin Mustafa diskutuam mbi axhendën e mbledhjes së ardhshme të dy qeverive, bazuar në faktin që kemi një dakordësi të plotë, sepse këtë na e japin shifrat dhe provat, që ky proces i bashkëqeverisjes së problemeve dhe çështjeve të interesit të përbashkët, na ka dhënë rezultate shumë të mira”. Kryeministri i Shqipërisë ju referua shkëmbimeve tregtare dhe të eksportit në të dy anët e kufirit, “për të kuptuar, sikurse u shpreh ai, jo vetëm se sa shumë është bërë së bashku, por edhe se çfarë potenciali të madh ka”. Zoti Rama pranoi se “ka ende probleme për t’u adresuar dhe çështje për t’u zgjidhur, në mënyrë që kjo hapësirë të jetë një hapësirë e lirë shkëmbimesh dhe një hapësirë ku përmes këtyre shkëmbimeve arrihet mirëqenia e popullit tonë në të dy anët”.
Dy kryeministrat, Rama dhe Mustafa, kanë theksuar se nevojën e një përgatitjeje intensive për etapën e tretë të Procesit të Berlinit, që do të çojë kryeministrat e rajonit në Paris. “Jam shumë krenar që historia e suksesit në procesin e mbledhjeve të dy qeverive, është një arsye që ne të nxisim së bashku një proces më të gjerë rajonal për heqjen e barrierave jotarifore dhe për lehtësimin maksimal të shkëmbimeve mes njerëzve, mallrave, në mënyrë që të rrisim maksimalisht hapësirën e të gjithë sipërmarrjeve shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë, por edhe në rajon”, tha me këtë rast kryeministri shqiptar Edi Rama.
Një takim i ngrohtë ju rezervua kryeministri shqiptar edhe nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli. Ndonëse vlerësuan lart marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë, duke i cilësuar model për rajonin e Ballkanit, zoti Rama dhe zoti Veseli shtruan nevojën e thellimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat.
Zoti Rama është pritur në Prishtinë edhe nga kryetari i komunës Shpend Ahmeti, përfaqësues i opozitës kosovare. “Biseduam për zhvillimet politike në Kosovë. Dëgjova rekomandimet dhe kritikat miqësore që i përcolli për të mirën dhe të ardhmen e Kosovës” tha zoti Ahmeti. Për zotin Rama mikpritja e kryetarit Ahmeti ishte vëllazërore. “Nuk pata kritika, por shpreha disa opinione miqësore dhe pata kënaqësinë ta vizitoj në zyrë në komunë”, tha kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.