KRYEFAQJA » LAJME » Rama : Në Samitin e NATO-s roli i Shqipërisë u vlerësua maksimalisht

Rama : Në Samitin e NATO-s roli i Shqipërisë u vlerësua maksimalisht

Samiti i Varshavës doli me vendime shumë të rëndësishme për një sërë çështjesh që lidhen me stabilitetin dhe sigurinë në hapësirën euroatlantike dhe ku Shqipëria jep një kontribut të vlefshëm. Kryeministri Edi Rama, duke folur për mediat, u shpreh se edhe në këtë Samit, roli i Shqipërisë u vlerësua maksimalisht.

“Samitet e NATO-s kanë një karakteristikë që janë mbledhje të mëdha, por shumë konkrete, me objektiva të qartë, me vendime të qarta dhe me monitorim strikt të vendimeve të marra. Në këtë kuptim, ky ishte një samit me rëndësi për shumë tema, por mbi të gjitha ishte një samit ku roli i Shqipërisë së vogël u vlerësua maksimalisht e kjo më bën shumë krenar”, tha ai.

Në Samit, nënvizoi Kryeministri, riafirmuam se Shqipëria i qëndron të gjitha angazhimeve të saj në kuadër të detyrimeve të NATO-s. “Shqipëria i ka qëndruar angazhimit e do të vazhdojë t’i qëndrojë angazhimit dhe edhe kjo është një arsye që rrit konsideratën e respektin për Shqipërinë si një partner i vogël, por shumë i çmuar në këtë Aleancë” tha zoti Rama.