KRYEFAQJA » LAJME » Rama në SHBA, PD kërkon hollësi për iranianët
Rama në SHBA, PD kërkon hollësi për iranianët

Rama në SHBA, PD kërkon hollësi për iranianët

Partia Demokratike e opozitës i ka kërkuar kryeministrit Rama informacion në lidhje masat e marra për pritjen dhe trajtimin e shtetasve iranianë, ish anëtarë të organizatës MEK në Shqipëri. Në një dokument të firmosur nga zëvendëskryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në parlamentin shqiptar Flamur Noka, kërkoheshin hollësi për kapacitetet pritëse, standartet e ofruara, numrin e personave qe kanë mbërritur dhe pritet të vijnë si dhe trajtimi i tyre. Opozita kërkon gjithashtu të dijë nëse atyre u është ofruar statusi i refugjatit dhe nëse autoritetet kanë regjistruar lëvizjet. “Duke e vlerësuar partneritetin strategjik me SHBA dhe duke garantuar mbështetjen maksimale të objektivave të përbashkëta, PD e konsideron këtë cështje si të rëndësishme në fushën e sigurisë kombëtare dhe kërkon të dhëna të plota mbi ecurinë e procesit” vlerësohet në kërkesën e PD.
Kërkesa e PD të opozitës vjen ndërsa kryeministri Rama ka nisur një vizitë zyrtare disa ditore në SHBA, ku do të pritet nga presidenti amerikan Barak Obama. Edhe më parë çështja e pranimit të shtetasve iranianë në Shqipëri, ka qenë ndër temat e bisedave të nivelit të lartë midis administratës amerikane dhe asaj shqiptare, por për publikun e gjerë nuk ka rrjedhur shumë informacion. Ajo u nënvizua nga mediat edhe si një teme e mundshme e takimit Rama – Kerri gjatë vizitës së sekretarit amerikan të shtetit dy muaj më parë në Tiranë, por në konferencën për shtyp nuk u përmend.