KRYEFAQJA » LAJME » Rama në Shkodër: PS më e madhja dhe më e zonja për Shqipërinë
Rama në Shkodër: PS më e madhja dhe më e zonja për Shqipërinë

Rama në Shkodër: PS më e madhja dhe më e zonja për Shqipërinë

Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga mbajtja e kongresit të socialistëve, kreu i tyre, njëherësh kryeministri i vendit Edi Rama, po synon të konfirmojë se PS është forca më e madhe politike në vend dhe më e afta të drejtojë Shqipërinë. Zoti Rama ishte të martën në Shkodër, e konsideruar ndër vite si bastion i të djathtës, ku ka dorëzuar teserat për socialistët e rinj shkodranë. “Fakti që ata vijnë në këtë takim dhe disa vijnë përherë të parë në Partinë Socialiste, është komplimenti më i shkëlqyer që i bëhet qeverisjes sonë” tha zoti Rama. Sipas tij “Prurjet në Partinë Socialiste janë më të mëdha se asnjëherë më parë. Kjo tregon se besimi tek Partia Socialiste nuk është lënduar, jo vetëm shpresa nuk është dobësuar”. Kryeministri socialist ashtu në të gjithë turet e tij të mëparshme në Shqipëri, ka përmendur sipas mënyrës së tij të njohur, reformat e ndërmarra veçanërisht në fushën e energjisë, që sipas tij, nëse do të ishte kryer në kohën e duhur do të kishin investuar për dekadat të tëra me arsim, shëndetësi dhe në bujqësi. Me elegancë, por edhe humor zoti Rama u ndal edhe në debatin aktual brenda PS, veçanërisht lidhur me votimin e kreut të saj. “Na duhet një Parti Socialiste më e fortë sepse duhet t’i çojmë reformat përpara dhe të mos dëgjojmë as majtas dhe as djathtas. Nuk duhet të dëgjojmë asnjë zë që rri duke u ankuar, duke na sharë, duke na u kundërvënë” tha zoti pa ju referuar në emra kundërshtarëve të tyre. Deputetja socialiste Mimoza Hafizi, e njohur për disa kundërshtime ndaj zotit Rama tha se shpresonte që në Partinë Socialiste të zbatoheshin rregullat dhe demokracia e brendshme. “Për çështjen e kryetarit kemi me Mozën një diskutim, por do ta zgjidhim në mënyrën më demokratike” premtoi kryetari socialist Edi Rama.