KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Rama në Stamboll: Sektori energjitik të kthehet në vetëfinancues
Qendra Kombëtare Dispeçer

Rama në Stamboll: Sektori energjitik të kthehet në vetëfinancues

Në Samitin e VII të Këshillit të Atlantikut për Energjinë dhe Ekonominë, që po mbahet në Stamboll, kryeministri Edi Rama ka prezantuar situatën energjitike në Shqipëri dhe perspektivat e zhvillimit të saj. Zoti Rama tha se në dy vitet e fundit, në Shqipëri “Ka pasur një paketë me reforma radikale për tregun për energjinë”.  Ai tha se për herë të parë, “në 25 vitet e fundit kompania e energjisë ka dhënë përftime duke mundësuar për investime në sistem”. “Tashmë kemi mundësi të plotësojmë 100 për qind të kërkesave, megjithë se kemi prodhuar 32 për qind më pak në 2014-ën si rezultat i kushteve” tha kryeministri.
“Qëllimi ynë është të transformojmë sektorin energjitik në vend, duke e kthyer nga pengesa më e fortë për zhvillimin, në një vetë-financues brenda 2018” bëri të ditur synimin e tij kreu i qeverisë shqiptare.
Kryeministri Rama kujtoi se në janar të këtij viti u firmos një marrëveshje për sistemin energjitik me BE, ku është anëtarësuar gjithë rajoni. “Duam të kemi një sistem politik të modernizuar me një ekonomi që mbështet të varfërit. Jemi duke modernizuar lidhjet me Greqinë dhe Malin e Zi. Po përmirësojmë linjat e interkonjeksionit me Kosovën dhe Maqedoninë. Projekti TAP e vendos vendin tonë në një pozitë gjeo-strategjike të BE-së” tha zoti Rama.
“Shembulli i përbashkët i BE-së është që energjia duhet të ndahet. Sot ka një angazhim të qartë për një ndryshim themelor për gjithë rajonin”. “Nuk ka krizë energjitike, por ka krizë vetëm prej injorancës. Dhe mbledhja jonë së bashku vjen nga rritja e horizontit” tha kryeministri Edi Rama në Samitin e VII të Këshillit të Atlantikut për Energjinë dhe Ekonominë, në Stamboll.