KRYEFAQJA » LAJME » Rama: Nis lufta frontale kundër informalitetit!
Rama: Nis lufta frontale kundër informalitetit!

Rama: Nis lufta frontale kundër informalitetit!

Në vigjile të dy vjetorit të ardhjes në pushtet, kryeministri socialist Edi Rama paralajmëroi nisjen e asaj që ai e cilësoi si “lufta frontale kundër informalitetit”. Duke folur nga selia e qeverisë ditën e fundit të pushimeve verore, zoti Rama tha se “Nesër nis operacioni më i rëndësishëm i këtij mandati, lufta frontale kundër informalitetit”. Sipas tij kjo luftë nuk nis nga zero, por kalon në një fazë të dytë vendimtare për të ulur informalitetin në një nivel të pranueshëm”. Ashtu si dhe më parë kryeministri Rama tha se “Do të jetë jo luftë kundër biznesit, por aleancë me biznesin që paguan taksat dhe në mbrojtje të konsumatorit”. Ai e cilësoi “… një përpjekje që ne synojmë jo vetëm të vendosim atë drejtësi e barazi para ligjit dhe në raport me detyrimet që secili të kontribuojë sa i takon, siç bëmë dhe me energjinë, por nga ana tjetër është përpjekje për të bërë një kapërcim të detyrueshëm epokal”. Zoti Rama tha se “…operacioni synon në radhë të parë të vendosë të mëdhenjtë brenda kuadrit ligjor”, por ndërkohë u përsëriti thirrjen qytetarëve për të marrë kuponat e blerjeve të tyre. “Mos lejoni tju vjedhin sy për sy. Nëse merrni ushqimet, ilaçet dhe nuk ju japin kuponi ikni pa paguar” përsëriti kryeministri Rama deklaratë e pak ditëve më parë.
Sipas të dhënave që ka publikuar qeveria shqiptare, një e treta e bizneseve shqiptare, nuk janë regjistruar, ndërsa gjysma e atyre që kanë kasa, pothuaj nuk i përdorin ato. Një situatë e tille e çon nivelin e informalitetit në ekonomi në rreth 60 për qind.