KRYEFAQJA » LAJME » Rama : Nisim betejën për fitoren e zgjedhjeve të 2017
Rama : Me reformën në drejtësi ne jemi shumë pranë prerjes së nyjes gordiane

Rama : Nisim betejën për fitoren e zgjedhjeve të 2017

Partia Socialiste, më e madhja e koalicionit qeveritar, ka ndezur motorrat e fushatës për zgjedhjet parlamentare që parashikohen të mbahen në mesin e vitit të ardhshëm. Kryetari i PS-së, Edi Rama tha se kryesia e re e partisë e zgjedhur nga Asambleja Kombëtare, do të nisë betejën për fitoren e zgjedhjeve të 2017-ës. “Kjo kryesi e nis detyrën me një objektiv madhor afatshkurtër, fitoren e zgjedhjeve të qershorit 2017. Është një objektiv afatshkurtër. Sot një vit jemi në sprintin final të këtij mandati dhe në prag të finish elektoral dhe çdo ditë e kësaj periudhe deri ditën e zgjedhjeve në jetën e PS është një ditë në funksion të zgjedhjeve” tha zoti Rama.
Më shumë se dy vjet e gjysëm nga ardhja në pushtet, pas një qeverisje tetëvjeçare nga PD, kreu i PS vlerëson se partia e tij ka bërë shumë “për Shqipërinë e gjenratës tjetër”. “Kemi bërë atë që të tjerët para nesh nuk e bënë dot. Kemi qeverisur me vendosmërinë për të bërë reformat ë munguara që bëjnë shtet dhe për moslejuar që gjenerata tjetër të vuajë pasojat e mungesës së reformave siç gjenerata e sotme vuajnë mungesën e reformave në të shkuarën. Kemi bërë më shumë reforma se asnjëherë më parë në një kohë të shkurtër. Kemi prekur sektorë ku ka pasur një paralizë, të sistemeve dhe kemi bërë praktikisht atë që duhej për të mundur që të vendosim në baza të shëndosha një proces të funksionimit të institucioneve për dekadat që vijnë” nënvizoi kreu socialist dhe kreu i qeverisë Edi Rama.
Ndër synimet afatshkurtëra zoti Rama ka përmendur reformën në drejtësi duke theksuar se pa këtë reformë të gjitha reformat e tjera kërcënohen shumë seriozisht. “Jemi të vendosur ta çojmë deri në fund…Loja e PD-së nuk mund të vazhdojë pa fund, palët duhet të ballafaqohen” u shpreh zoti Rama.