KRYEFAQJA » LAJME » Rama : Nuk është e lehtë, por nuk tërhiqemi nga reformat!
Rama : Nuk është e lehtë, por nuk tërhiqemi nga reformat!

Rama : Nuk është e lehtë, por nuk tërhiqemi nga reformat!

Pavarësisht akuzave të ashpra të opozitës për keqeverisje dhe kritikave brenda partisë për dështime, kryeministri socialist Edi Rama ka deklaruar sërisht vendosmërinë e qeverisë për të ecur përpara me reforma. Gjatë një takimi të premten me të rinj vlonjatë, zoti Rama tha se programi i maxhorancës së majtë është më ambiciozi gjatë gjithë viteve të tranzicionit në Shqipëri. Deklarata e zotit Rama ishte dhe një përgjigje, veçanërisht për deputetin socialist Ben Blushi i cili e ka sfiduar hapur për postin e kreut të partisë në kongresin e radhës që do të mbahet në mes të muajit mars. “Të tjerët e kanë më të lehtë të kritikojnë dhe e kanë më të lehtë sepse nuk kanë asgjë në dorë. Kritikojnë serhirxhinjtë që nuk kanë çfarë japin dhe nuk kanë fatin e vendit në dorë” tha zoti Rama, ndonëse nuk e përmendi emrin e kundërshtarit të tij. Ai pranoi se rruga e zgjedhur nuk ishte aspak e lehte, “Ne nuk e kemi aspak të lehtë sepse ne kemi fatin e vendit, por jemi të vendosur që të mos tërhiqemi asnjë milimetër nga kjo rrugë reformash, që po të ishin bërë në këto 20 vjet, sot do të ishim në të tjera kushte. Ne nuk mund të tërhiqemi nga reformat në emër të frikës së po humbasim ndonjë votë apo se po prishemi me njëri-tjetrin. Boll ka humbur kohë Shqipëria! Nuk mund të humbasim edhe 20 vite të tjera” këmbënguli kryeministri socialist.  Rama.