KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Rama: “Nuk ju japin kupon? Mos paguani!”
Rama: "Nuk ju japin kupon? Mos paguani!"

Rama: “Nuk ju japin kupon? Mos paguani!”

Qeveria shqiptare paralajmëron masa drastike kundër informalitetit. Ka qene vetë kryeministri Edi Rama që gjatë një takimi me drejtues të tatimeve dhe doganave, ka hedhur më shumë dritë rreth tyre. “Një nga masat që do të marrim është një thirrje publike dhe detyrimi për çdo biznes të vendosë një tabelë ku konsumatorit t’i thuhet se ka të drejtë të mos paguajë nëse nuk merr kuponin” tha zoti Rama. Ai ka shprehur shqtësimin se 1/3 e bizneseve që ushtrojnë aktivitet tregtar nuk janë të regjistruar ose nuk përdorin kasë fiskale, ndërsa mbi 50 për qind nuk japin thuajse asnjë kupon tatimor.  Kryeministri tha se “Kjo nuk është një betejë kundër biznesit, por një betejë për të mbrojtur konsumatorin, biznesin dhe shtetin nga ata që ushtrojnë aktivitet tregtar në shkelje të ligjit duke vjedhur blerësit, duke penguar me konkurrencë të pandershme të tjerët në fushën e sipërmarrjes dhe duke grabitur paratë që shtetit i duhen për të ulur taksat, rritur rrogat, dhe investuar në shkolla, ujësjellësa, spitale e me radhë”.
Por një thirrje u drejtoi kryeministri Rama zyrtarëve të tatimeve dhe doganave. “Ju uroj suksese të gjithëve për të mirën e vendit dhe të mirën tuaj sepse si në operacionin e energjisë, duke konsideruar që problemi nuk është vetëm jashtë nesh, por edhe brenda nesh” tha ai. “Ashtu siç nuk kemi hezituar të ndëshkojmë drejtues dhe punonjës të sistemit të shpërndarjes të përfshirë në hajdutësi dhe korrupsion, nuk do të hezitojmë të ndëshkojmë askënd dhe brenda sistemit të tatimeve dhe doganave” nënvizoi kryeministri Rama. Ai përmendi dhe një iniciativë të re ligjore sipas të cilës do të rëndohen ndjeshëm dënimet për fshehjen nga ana e punonjësve tatimorë të një aktiviteti të paligjshëm tregtar përkundër rryshfetit.
Por nga ana e saj opozita e djathtë i konsideron të dështuara politikat fiskale të qeverisë. Ish numri një i financave në qeveritë e djathta, Ridvan Bode tha se politikat e majta kanë vënë në vështirësi jo vetëm biznesin, por tërë ekonominë kombëtare. “E gjithë politika fiskale që tentoi të ndërtonte qeveria bazuar në progresivitetin dhe në taksimin e fortë, ishte një politikë tërësisht e dështuar që nuk dha asnjë rezultat” ka deklaruar zoti Bode. Sipas tij, rritja e dobët ekonomike e kombinuar me borxhin e lartë kanë shtuar rreziqet edhe për qëndrueshmërinë financiare të vendit. Komentet e tij zoti Bode i bëri ndërsa pak ditë më parë qeveria pranoi mosrealizimet në tatime dhe dogana, ndërsa korrigjoi me ulje rritjen ekonomike, Sipas saj kjo rritje është 2.7 për qind, nga 3 që ishte parashikuar.