KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Rama: Nuk ka amnisti, deklaroni ato qe keni fshehur!
Rama: Nuk ka amnisti, deklaroni ato qe keni fshehur!

Rama: Nuk ka amnisti, deklaroni ato qe keni fshehur!

Kryeministri socialist Edi Rama ka riktheksuar edhe një herë vendosmërinë e qeverisë së tij për të luftuar informalitetin në ekonomi. Gjatë një takimi të martën në Tiranë me sipërmarrës dhe industrialistë të rinj italianë, zoti Rama tha se në fazën aktuale “transparenca ka një rëndësi themelore, përpara se të vijë ndëshkimi”. Kryeministri shqiptar hodhi poshtë mundësinë e ndërrmarrjes së një amnistie nga ana e qeverisë së tij , ndërsa ftoi bizneset të vetëdeklarojnë gjthçka kanë fshehur deri tani, por pa patur pasoja. “Nuk ka për të pasur asnjë lloj amnistie dhe asnjë lloj tolerance ndaj kujtdo, që në inercinë e shkeljes së ligjit kërkon zgjatje kohe, por ju ofrojmë vetërregullim, pra, të deklarojnë atë që kanë fshehur, pa pasojë. Nuk do të kenë pasoja, në rast se atë që e kanë fshehur do ta deklarojnë. Të nxitojnë ta deklarojnë sot, sepse, nëse nesër do të jenë objekt i kontrollit, do të duhet të përballen me pasojat ligjore” tha kryeministri Rama. “Askush nuk i dekurajon, përkundrazi, i inkurajon të mëdhenj e të vegjël që mallin që kanë të paregjistruar dhe që e kanë në kushte ilegaliteti, për shkak të një evazioni të vazhduar me vite, ta vetëdeklarojnë dhe të vetërregullojnë gjendjen e tyre, në raport me tatimet. Kjo i shpëton nga çdo ndëshkim ligjor dhe vendos kushte transparente barazie në marrëdhëniet e tyre me shtetin” shtoi më tej kreu i qeverisë shqiptare.
Nga ana e tij parlamenti pritet të miratojë një ligj i cili u jep mundësi bizneseve që disponojnë mall pa faturë, ta vetdeklarojnë atë deri më 31 dhjetor të këtij viti. “Një tjetër zgjidhje për biznesin e vogël kryesisht. Mos mbyllni qepenat e dyqanit apo magazinës me mall pa faturë. Vetëdeklaroni mallin me anë të një autofature me çmimin real dhe vijoni punën rregullisht” shkruante me këtë rast në Fejsbuk kreu i Komisionit Parlamentar të ekonomisë Erion Braçe.
Ndërkaq operacioni kundër informalitetit që prej së martës është shtrirë edhe tek bizneset e mëdha. Ministri i financave Shkëlqim Cani tha se ai nuk do të ndalet deri në realizimin e plotë të objektivit të qeverisë për të formalizuar ekonominë dhe respektuar ligjin nga të gjithë aktorët e tregut. Sipas të dhënave biznesi i madh në Shqipëri jep rreth 90 të të ardhurave në buxhet.