KRYEFAQJA » LAJME » Rama: Nuk ka asnjë minutë për të humbur, dhimbjet nuk mund t’i ndajmë me gjeneratën tjetër
Rama bën bilancin: Optimizëm, por pa brohoritur!

Rama: Nuk ka asnjë minutë për të humbur, dhimbjet nuk mund t’i ndajmë me gjeneratën tjetër

Pak më shumë se dy vjet pas ardhjes në pushtet, kryeministri socialist Edi Rama ka përsëritur vendosmërinë për vazhdimin e reformave të gjithanshme në vend. Duke folur të shtunën në mbrëmje në pritjen tradicionale të fundvitit me trupën diplomatike të akredituar në Shqipëri, ai tha se “Ne kemi ardhur në qeveri për të bërë reforma dhe do të qëndrojmë në qeveri duke bërë reforma”. Zoti Rama këmbënguli se “…nuk ka asnjë minutë për të humbur dhe reformat duhet cohen përpara me vendosmëri duke përballuar të gjitha kostot dhe dhimbjet që nuk mund t’i ndajmë me gjeneratën tjetër”. Kryeministri tha ndër të tjera se nevoja për ndryshimin e sistemit të drejtësisë, është një nga themelet kryesore të cdo shteti. “Jemi të qartë se reforma në drejtësi mbetet një parakusht për hapjen e negociatave për anëtarësim. 90 përqind e shqiptarëve besojnë se në Shqipëri nuk ka drejtësi, mbi 80 përqind pohojnë se sistemi i drejtësisë është i korruptuar. Ndërkohë që këtu në sallë jemi 100 përqind dakord se në Shqipëri as drejtësi nuk ka dhe korrupsioni përcakton vendimet e drejtësisë. Jemi të gjithë të vetëdijshme se pa i çuar radhët e tërmetit të reformave nën këmbët e sistemit të drejtësisë nuk do të garantojmë dot themelet e ngrehinës moderne të shtetit demokratik që po përpiqemi të ndërtojmë, të cilat pa këtë reformë do të mbeteshin kështjella rëre që dallga e parë e rrëmbyer i kthen në hiç” tha zoti Rama .
Në këndvështrimin e kryeministrit socialist “Manifestimet e pakënaqësisë së menjëhershme që çdo qasje reformuese dhe çdo proces transformues rrënjësor provokon në një trup të shëndetshëm, por të gryer nga pakujdesia, neglizhenca, abuzimet për vite me radhë, unë i lexoj si shenja vitaliteti dhe sensibilizimi në një udhëkryq ku sot ndodhet vendi”.
Kryeministri shqiptar përsëriti rolin dhe angazhimin e Shqipërisë për ruajtjen e paqes në Ballkan dhe në luftën kundër terrorizmit përkrah aleatëve të saj. Shqipëria është përpjekur të vazhdojë të udhëhiqet nga forca e shembullit dhe ekuilibri i saj, tek ato procese themeltare, si rrugëtimi i përbashkët në histori i popujve nën drejtimin e OKB-së, apo ndërtimi i integruar i i bashkësisë evropiane dhe përpjekja unitare e NATO-s për mbrojtjen e demokracisë, ne shohim pa asnjë lëkundje një shpresë që nuk gënjen, tha ndër të tjera zoti Rama. “Vendi ynë nuk lëkundet nga referencat dhe përkatësitë e tij qartësisht evropiane” nënvizoi kryeministri shqiptar. Ai tha se dokumenti i Partneritetit Strategjik që këtë vit Shqipëria nënshkroi me Shtetet e Bashkuara përbën një gur themeli, por vlerësoi edhe interesin e shprehur në vitet e fundit nga Kina për Ballkanin. “Kjo është një dëshmi më shumë se të gjithë bashkë në rajon jemi ndoshta të dënuar, apo të destinuar prej gjeografisë të jemi partnerë të besueshëm dhe aktorë gjeo-politikë të besueshëm” tha kryeministri shqiptar Edi Rama.