KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Rama: Operacioni kundër informalitetit nuk synon ndëshkimin e bizneseve, por respektimin e ligjit!
Rama: Operacioni kundër informalitetit nuk synon ndëshkimin e bizneseve, por respektimin e ligjit!

Rama: Operacioni kundër informalitetit nuk synon ndëshkimin e bizneseve, por respektimin e ligjit!

Në kulmin e kritikave veçanërisht nga opozita se operacioni kundër informalitetit po ndëshkon bizneset, kryeministri socialist Edi Rama tha se ky operacion synon respektimin e ligjit nga të gjithë. Gjatë një takimi me pëfaqësues të biznesit të vogël, zoti Rama bëri thirrje për denoncimin e sjelljeve antiligjore të administratës tatimore. “Në këtë operacion ka një rrezik, që operacioni të dëmtojë edhe ata të cilët janë në rregull. Nëse administrata troket pa arsye, ose gjen arsye për të trokitur edhe kur ka trokitur njëherë, dhe për të kërkuar të njëjtat gjëra, kjo e cënon rëndë klimën e biznesit dhe kujtdo që merret me biznes” tha zoti Rama. “Operacioni ka mbi të gjitha një rrezik të madh që të shikohet dhe zbatohet si një operacion ndëshkimor. Nuk është ky qëllimi i operacionit, ndëshkimi. Qëllimi i këtij operacioni nuk është penalizmi, por respektimi i ligjit nga të gjithë. Ky proces nuk është një aksion që fillon dhe mbaron në një hark të caktuar kohe, por është një proces që synon transformimin njëherë e mirë të veprimtarisë së sipërmarrjes së lirë në Shqipëri” këmbënguli kryeministri Rama.
Ai përsëriti vendosmërinë e qeverisë së tij për të mbështetur biznesin dhe për të lehtësuar nga taksat ambulantët dhe personat që punësojnë veten me zanatin e tyre. “Jemi shumë të vendosur që ta mbështesim fuqishëm biznesin e vogël dhe të madh dhe të lehtësojmë qoftë ambulantët, për të cilët nuk do ketë më asnjë taksë. Ata që punojnë me zeje nuk do ketë asnjë taksë, sepse punësojnë veten me zanatin e tyre. Nuk kemi çfarë tu kërkojmë asgjë më shumë. Kjo për të stimuluar dhe më shumë zanatet, shkollat profesionale” tha kryeministri Rama.
Kryeministri garantoi bizneset se formalizimi do të bëjë të mundur uljen e taksave për ta. “Sa më shumë kupona të jepni dhe sa më shumë kupona të marrin blerësit tuaj, aq më e afërt bëhet dita për të ulur taksat tuaja. Ajo që fitoni sot duke mos dhënë kuponin është shumë më pak nga ajo që do të përfitoni nga ulja e taksave” tha kryeministri Edi Rama.