KRYEFAQJA » LAJME » Rama opozitës: Jo qeverisë teknike, hajdeni dialogojmë për zgjedhjet të cilat nuk do të shtyhen!
Rama opozitës: Jo qeverisë teknike, hajdeni dialogojmë për zgjedhje!

Rama opozitës: Jo qeverisë teknike, hajdeni dialogojmë për zgjedhjet të cilat nuk do të shtyhen!

Kryeministri socialist Edi Rama ka hedhur sërish poshtë kërkesën e opozitës së djathtë për krijimin e një qeverie teknike, ndërsa u shpreh i gatshëm që të dialogojë për reformën zgjedhore e cila do të aplikohet në zgjedhjet e përgjithshme të 18 qershorit, për të cilat ai u shpreh kategorik se nuk do të shtyhen.

Duke folur në komunkimin javor në Fejsbuk, zoti Rama tha se “Opozita mund ta kërkojë qeverinë teknike gjithë ditën dhe qeverinë teknike gjithë natën, por s’mund t’ia imponojë këto kërkesa qeverisë në asnjë vend të botës ku vendos vullneti popullor me votë”. “Prandaj me gjithë respektin për kërkesën e opozitës për qeveri teknike apo teknika të reja qeverisje kjo qeveri do të vazhdojë punën deri në afatin e fundit të kontratës me popullin shqiptar. Kontrata është deri në 18 qershor  tha zoti Rama.

Ai akuzoi PD, drejtëpërdrejtë ish kryeministrin Berisha dhe kreun aktual të PD Basha , krerët e partive të tyre aleate, se synojnë që krizën e tyre ta përcjellin si krizë të Shqipërisë. Por për zotin Rama përgjegjës janë edhe segmente të medias, gjyqtarë, madje edhe të huaj që nuk duan që Shqipëria të bëhet shtet me dinjitet.

Kur protesta e opozitës para selisë së qeverisë ka kaluar katër javë, zoti Rama sërish ka shprehur gatishmërinë për dialog. “Jam dhe do të jem i gatshëm çdo ditë çdo orë, edhe në çadër po të duan të takohemi dhe të dialogojmë me opozitën, për ndërhyrje në Kodin Zgjedhor dhe në çdo kod apo ligj tjetër që PD mund të kërkojë për t’u ndjerë sa më e garantuar në zgjedhje, të votojmë pa rezervë çdo gjë që nuk bie ndesh me ndërhyrje në Kodin Zgjedhor dhe në çdo kod tjetër që nuk bie ndesh me propozimet e OSBE-ODIHR, apo për çdo institucion qe ajo dëshiron” tha ai.

Ndërkaq lidhur me procesin e vettingut i cili po vonohet për shkak të bojkotit parlamentar të opozitës, kryeministri Rama tha se nëse opozita bojkoton zgjedhjet do të jetë e dhimbshme dhe shqiptarët do të humbasin. “Ne nuk do t’i bashkohemi kurrë një mungese respekti për popullin do të respektojmë datën e zgjedhjeve deri në atë datë do të angazhohemi në fushate për sa shumë kemi bërë, kemi për të bërë dhe kanë për të humbur shqiptarët nëse kthehemi mbrapa” tha ai.