KRYEFAQJA » LAJME » Rama opozitës : “Levantinët dhe karanxhot e sotëm kanë dhe tmerrin e frikës nga Reforma në Drejtësi”
Rama opozitës : "Levantinët dhe karanxhot e sotëm kanë dhe tmerrin e frikës nga Reforma në Drejtësi"

Rama opozitës : “Levantinët dhe karanxhot e sotëm kanë dhe tmerrin e frikës nga Reforma në Drejtësi”

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar ashpër opozitën e djathtë duke e akuzuar se po përpiqet të pengojë integrimin e vendit në BE, nëpërmjet bllokimit të Ligjit të Vettingut. Në komunikimin e tij javor në Fejsbuk zoti Rama, u ndal në deklaratat e deputetit gjerman Gunther Griuchbaum, bërë në mesjavë në Tiranë. Deklaratat, sipas të cilave Shqipëria duhet të plotësojë 7 kushte për të hapur bisedimet me BE, për zotn Rama “janë personale dhe nuk kanë asnjë lidhje me qasjen e BE ndaj çeljes së negociatave me Shqipërinë”. Duke zgjedhur fjalorin e politikanit të njohur shqiptar Faik Bej Konicës, në fillim të shekullit të kaluar, zoti Rama tha se deputetët e opozitës “u hodhën përpjetë prej fletërrufeve në gjuhë të huaj kundër Shqipërisë me një ngazëllim që i ngjante entuziazmit për golin e fitores të Kupës së Botës nga kuqezinjtë e De Biasit”. Ai i konsideroi si “Njerëz që kanë bashkëpunuar me dreqin e me të birin në histori për të mos e lënë Shqipërinë të zhvillohet dhe të rritet jashtë sferës së interesave të tyre të vogla dhe të frikërave të tyre të mëdha”. Për zotin Rama “levantinët dhe karanxhot e sotëm kanë dhe tmerrin e frikës nga Reforma në Drejtësi”. “Nga drejtësia që mund ta vonojnë, por nuk mund ta bëjnë kurrë që ti harrojë ata dhe padrejtësitë e këtyre ndaj këtij populli”.
Deklarata e zotit Rama erdhi vetëm një ditë përpara se të takohet në Berlin me kancelaren gjermane Angela Merkel me ftesën e kësaj të fundit. Sipas mediave shqiptare pritet që në këtë takim zonja Merkel ti komunikojë zotit Rama lajme të rëndësishme lidhur me të ardhmen integruese të vendit në BE. Në komunikimin e javor zoti Rama nuk ka bërë koment rreth këtij takimi, por ka deklaruar se “Shqipëria europiane nuk është një ëndërr me sy hapur e kësaj qeverie, por një amanet që ne do ta çojmë në fund me reforma”. Sipas tij mbetet për tu parë vendimi që do të marrin vendet e BE në mes të dhjetorit lidhur me nisjen e bisedimeve me Shqipërinë.  “Parlamenteve të BE do tu duhet të shprehen vetëm kur të jetë momenti për të ratifikuar datën e çeljes zyrtare të tryezave të negociimit. Ndërkohë që ne e dimë vetë dhe e kemi thënë që ditën e parë të marrjes së rekomandimit pozitiv se nuk jemi në momentin e përcaktimit të datës” tha zoti Rama në komunikimin e tij javor në Fjesbuk.