KRYEFAQJA » LAJME » Rama opozitës: “As nuk diskutohet, reforma me ju ose pa ju do të bëhet!”
"Reformës në drejtësi"

Rama opozitës: “As nuk diskutohet, reforma me ju ose pa ju do të bëhet!”

Ashtu sikurse pritej seanca parlamentare e së enjtes u kthye në një përplasje të ashpër mes maxhorancës së majtë dhe opozitës së djathtë. Në fokus ishin zhvillimet e mjaftë intensive rreth Reformës në Drejtësi dhe Policinë e Shtetit. Në këto kontekse kryeministri Edi Rama ka folur edhe për çështjen e paisjes së përgjimit. Ai tha se askush nuk është i interesuar për të përgjuar Partinë Demokratike. Disa deklarata të tij me doza të larta ironije për marrëdhëniet mes deputetëve të PD, sollën reagimin e këtyre të fundit. Deputeti demokrat Flamur Noka ka reaguar, ju drejtua foltores se Kuvendit ku gjendej kryeministri Rama me kërkesën për të ndërprerë seancën. Pas tensioneve që u krijuan nga mbledhja e deputeteve demokratë në foltoren e kuvendit, seanca është ndërprerë.
Rifillimi i saj ka sjellë përsëri shkëmbime replikash me kryeministrit Rama në podium dhe deputetëve demokratë në sallë. Megjithatë kreu i maxhorancës gjithnjë e më shumë i mëshoi thirrjes drejtuar opozitës për miratimin e Reformës në Drejtësi. “Drafti që tashmë ka hyrë në rrugën për të ardhur drejt sallës nuk është drafti i PS-së , LSI apo PDIU-së, dhe i shumicës parlamentare, por draft i përbashkët i ynë, i shqiptarëve, SHBA-së dhe BE. Deklarata e djeshme ishte shprehja kuptimplotë e bashkëautorëve të një drafti ku mungon vetëm PD, opozita e sotme. Drafti do vazhdojë rrugën e vet dhe ne do të vazhdojmë t’ju shtrijmë dorën e bashkëpunimit duke mbajtur hapur derën e negociatave. Ne nuk na intereson fitorja politike dhe nuk i gëzohemi disfatës tuaj, lidhur me kush është kush në procesin e dhënies së reformës në drejtësi
Ne jemi gati tju shtrijmë dorën” tha zoti Rama. Megjithatë ai u tregua shumë i vendosur kur deklaroi: “As nuk diskutohet, reforma me ju ose pa ju do të bëhet. Në pyetje është çmimi që do të ketë. Ne jemi gati të paguajmë çdo çmim sado i lartë të jetë”.
Kryetari i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka, në fjalën e tij deklaroi se opozita e mbështet Reformën në Drejtësi, por nuk mbështet atë që ai e quajti Reforma Rama. “Rama kërkon një drejtësi që kërkon të mbrojë kriminelë, vrasës e përdhunues. Sepse ai mbron deputetë kriminelë, tutorë prostitutash e trafikantë droge si Rroshin, Bushin dhe Shullazin. Drejtësia që i duhet Ramës është ajo që të rrëzojë ata që denoncojnë krimet e pushtetarëve” tha ndër të tjera zoti Paloka.