KRYEFAQJA » LAJME » Rama: Pagat në universitete do të rriten
Rama: Pagat në universitete do të rriten

Rama: Pagat në universitete do të rriten

Për të dytën ditë me rradhë kryeministri Edi Rama ka trajtuar çështjen e rritjes së pagave dhe pensioneve. Ndërsa një ditë më parë nga Fejsbuku ai njoftoi se qeveria e tij do të përdorte 100 milionë dollarë për këtë qëllim, të hënën në një takim me pedagogët e Universitetit të Tiranës, ka sjellë më shumë hollësi. “Vetëm universiteti do të marrë 5 milionë dollarë nga fondet për pagat. Profesori i universitetit do të marrë 139 mijë lekë të vjetra në muaj më shumë, lektori do të marrë 103 mijë” u tha zoti Rama të pranishmëve, ndërsa kujtoi se në vitin 2013 kur qeveria e tij erdhi në pushtet, buxheti i Ministrisë së Arsimit parashikonte pagat vetëm për 9 muaj.
Kryeministri Rama gjeti rastin të përsëriste se Reforma Arsimore e ndërmarrë nga qeveria e tij ndryshoi tërësisht këtë sektor, “Një rrënim tërësor i ishte bërë jo vetëm sistemit të arsimit në këto vite, por dhe kuptimit të tij dhe vlerës së tij. Kishim thyer një rekord botëror pasi kishim 18 herë më shumë universitete se Britania e Madhe dhe 15 herë më shumë se Gjermania për frymë” tha ai mes ironisë dhe keqardhjes. “Kjo që kemi ndërmarrë ne është vetëm fillimi i një procesi ku konkurrenca duhet të ashpërsohet vit pas viti dhe ku hyrja në universitet duhet të bëhet më e vështirë dhe jo më e lehtë, për t’u siguruar që kush del nga universiteti të jetë shërbëtor i formuar i këtij populli” tha zoti Rama.