KRYEFAQJA » LAJME » Rama: PD refuzon propozimet e SHBA dhe BE, sepse nuk do partnerët strategjikë të Shqipërisë
Rama : PD të bëjë detyrën, pa 7 ligjet Brukseli nuk i hap negociatat

Rama: PD refuzon propozimet e SHBA dhe BE, sepse nuk do partnerët strategjikë të Shqipërisë

Propozimet e PD pas bisedimeve me ndihmës sekretaren amerikane të shtetit Viktoria Nuland nga demokratët, nga kryeministri Edi Rama janë konsideruar refuzim nga ana e opozitës.
Zoti Rama ka dalë në mesditë në një konferencë për shtyp duke shprehur keqardhjen e t ij.  “Nuk më vjen i papritur ky refuzim i radhës sepse përgjatë një viti e gjysëm të proçesit të hartimit të draftit të reformës në drejtësi PD i ka dhënë me të gjitha mënyrat sinjalet që nuk e do reformën në drejtësi” tha zoti Rama. Për kryeministrin socialist PD e “E ka bojkotuar proçesin fillimisht për një kohë të gjatë, ka hyrë dhe dalë në proçes duke futur e nxjerrë letra pa lidhje vetëm për ta ngatërruar proçesin, ka baltosur ekspertët e nivelit të lartë si ka mundur dhe sa ka mundur, ku ka mundur”.  Zoti Rama tha se PD “Ka abuzuar pa pushim me opinionin e Komisionit të Venecias, duke u kapur fillimisht gjatë dimrit pas një paragrafi 55 dhe pastaj me pranverën pas një paragrafi 88, si i mbyturi pas fijes së barit”. “Është tallur me partnerët strategjikë të Shqipërisë duke u thënë se ka vetëm një hall, si të mos e kapë Edi Rama drejtësinë dhe ky hall zgjidhet me vendet e rezervuara” tha zoti Rama.
Duke komentuar propozimin më të fundit të PD për Reformën në Drejtësi, zoti Rama tha se  “PD nuk e ka pasur hallin tek vendet e rezervuara, por ka rezerva për besueshmërinë, profesionalizmin dhe integritetin e partnerëve strategjikë të Shqipërisë. Nuk i do partnerët strategjikë të Shqipërisë apo të huajt nëpër këmbë sepse i friket paanshmërisë, profesionalizmit dhe besnikërisë së tyre ndaj ligjshmërisë në procesin e skanimit të pasurisë së tyre, vendimarrjeve dhe aftësisë të gjykatësve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë” tha në reagimin e tij kryeministri Rama. “E keni dëgjuar ndonjëherë PD të thotë se e ka hallin pikërisht tek humbja e kontrollit që ka mbi pengmarrësit e korruptuar të sistemit të drejtësisë, gjykatës dhe prokurorë me të cilët ka rivrarë të vrarët në Gërdec dhe bulevard dhe e ka kthyer drejtësinë në një pazar të madh mesjetar ku të korruptuarve të saj nuk u ka hyrë deri më sot asnjë gjemb në këmbë” pyeti kryeministri. Megjithatë zoti Rama sërisht i drejtoi një ftesë kreut të opozitës. “E ftoj Lulzim Bashën të ulemi përsëri që t’i japim shqiptarëve një vend të integruar në Bashkimin Evropian” tha kryeministri socialist.