KRYEFAQJA » LAJME » Rama për maturantët: “Më të mirët zgjedhin të parët”
Rama për maturantët: "Më të mirët zgjedhin të parët"

Rama për maturantët: “Më të mirët zgjedhin të parët”

Kryeministri Edi Rama, ka mbrojtur Reformën në Arsimin e Lartë shqiptar, ndërsa ka dhënë shpresë për maturantët që po synojnë universitetet publike. “Një nga risitë e Reformës në Arsim është më të mirët zgjedhin të parët!” shkruan zoti Rama në Fejsbuk. Sipas tij “Sigurisht një maturant i shkëlqyer nuk mund të shkojë në tetë, nëntë apo dhjetë degë, ku shpreh fillimisht preferencën dhe del fitues! Deri në 20 shtator, çdo fitues në më shumë se një degë, do të regjistrohet në degën e vetme që do ndjekë dhe, automatikisht, të gjitha vendet e tjera që ka zënë përkohësisht në listën fituese, do të lirohen për shpalljen e fituesve të tjerë” premton kryeministri. Zoti Rama këmbëngul se “… e drejta për të zgjedhur përcaktohet sipas meritës, me procedura transparente, jo më në errësirë sipas tarafit apo parasë… Rregullat janë të qarta dhe kush ndjek si duhet procedurat, padiskutim do të ushtrojë të drejtën e vet për shkollim të lartë, sipas meritës”.
Kryeministri kujton me këtë rast se ” Janë 25 mijë kuota për 27 mijë e 600 aplikues, kështu që ata që do mbeten jashtë në fund të procesit, do të jenë një numër i kufizuar e me rezultatet më të dobëta ndër gjithë të tjerët”. “Prandaj respekt për meritën e secilit dhe durim deri në përfundimin e procesit!” përfundon sqarimin e tij kryeministri shqiptar. Për ta përforcuar fjalën e tij zoti Rama ka zgjedhur ta shoqërojë me dëshminë e një maturante, tashmë fituese në disa degë e cila duket mjaftë e kënaqur me përzgjedhjen.