KRYEFAQJA » LAJME » Rama për Reformën e Ujit
Rama për Reformën e Ujit

Rama për Reformën e Ujit

Qeveria shqiptare deklaron se po tregon një kujdes të posaçëm rreth asaj që ajo e ka cilësuar Reforma e Ujit. Ajo është vlerësuar në dy drejtime, ujitjen në shërbim të bujqësisë dhe furnizimin me ujë të pishëm për popullatën. Duke folur në një takim me kryebashkiakët shqiptarë, kryeministri Edi Rama tha se “Objektivi ynë është dyfishim i sipërfaqes së tokës që vaditet, brenda mandatit tonë. Të ujisim 200 mijë hektarë në zonat më prodhuese të vendit”. Ai bëri të ditur se “Shumë shpejt do të mbërrijnë 61 ekskavatorë të rinj për të zëvendësuar mjetet tërësisht të amortizuara”. Zoti Rama u shpreh në mbështetje të pushtetit vendor, tha se kjo mbështetje do të bëhet në bazë të rezultateve. “Mbështetja financiare e qeverisë në këtë sektor do të kushtëzohet nga rezultatet që ju do të keni” u shpreh kryeministri.
Për zotin Rama pjesa më e vështirë e Reforës së Ujit është menaxhimi i ujit të pishëm. “Sistemi ynë prodhon 28 përqind më shumë ujë nga sa kanë nevojë qytetarët, por sërish kemi probleme të mëdha. Ky sektor kërkon kujdes me burimet njerëzore dhe duhet të ketë profesionistë. Të mos jetë më bazë e parazitëve të partive” tha zoti Rama.