KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Rama: Për trashëgiminë kulturore kemi bërë aq sa nuk është bërë në 25 vite së bashku
Muzeut Kombëtar i Artit Mesjetar

Rama: Për trashëgiminë kulturore kemi bërë aq sa nuk është bërë në 25 vite së bashku

Tre vjet pas ardhjes në pushtet të koalicionit të majtë kryeministri socialist Edi Rama vlerëson se qeveria e tij ka bërë për trashëgiminë kulturore aq sa nuk është bërë në 25 vite nga qeveritë që kanë drejtuar vendin në tranzicion. Duke folur të hënën në ceremoninë e çeljes së Muzeut Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë, zoti Rama tha se ai “…është pjesë e një qasje të re për ta rilindur jo trashëgiminë tonë kulturore, por raportin e respektit me të”. “Sot edhe pse jemi një vend që nuk i ka të pakufizuara mundësitë financaire dhe kemi kaluar përmes një faze të vështire për të dalë nga një krize e thellë nga çdo sektor, edhe pse na është dashur të shlyejmë shumë borxhe ne kemi bërë për trashëgimin kulturore aq sa nuk është bërë në 25 vite së bashku” tha kryeministri socialist. Zoti Rama kujtoi se tre vjet më parë dy qytete muze të Shqipërisë Gjirokastra  dhe Berati kishin hyrë në listën e zezë të UNESCO-s dhe konsideroheshin si pasuri në zhdukje. “Sot këto qytete nuk janë më në listën e zezë. Qeveria ka investuar vëmendje, dije dhe para për të filluar një proces të pakthyeshëm të ripërtëritjes së tyre” tha ai. Kryeministri shqiptar tha se gjatë këtyre viteve “Për herë të parë u bë inventari i monumenteve dhe për herë të parë u krijua lista kombëtare e monumenteve të kulturës”. “Në mungesë të kësaj liste shumë objekte faktikisht janë dëmtuar deri në zhdukje dhe shumë pjesë të koleksioneve të çmuara të këtij vendi janë grabitur dhe barabrizuar deri aty ku as imagjinata nuk të con dot” shprehu keqardhjen zoti Rama. Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar ka 400 objekte të ndryshme, 250 prej të cilave ekspozohen për herë të parë. Rindërtimi i tij ka kushtuar 600 milionë lekë.