KRYEFAQJA » LAJME » Rama: Policia shqiptare të shndërrohet ndër policitë më të mira të BE
Rama: Policia shqiptare të shndërrohet ndër policitë më të mira të BE

Rama: Policia shqiptare të shndërrohet ndër policitë më të mira të BE

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka shpalosur ambicjen që policia shqiptare të shndërrohet ndër policitë më të mira të Bashkimit Europian. Deklaratën e tij zoti Rama e bëri gjatë cermonisë “Policia e Gjeneratës së Re” ku u paraqitë uniformat e reja të policisë shqiptare. “Ambicia jonë është që në një 10-vjeçar, policia jonë të jetë ndër më të mirat në BE. Ne jemi të vendosur të ecim drejt një objektivi, ashtu sikurse jemi 100 përqind të bindur se ky objektiv është jo vetëm i mundshëm, por edhe tërësisht në mundësitë tona” tha zoti Rama. Aspekte të tjera të rritjes së imazhit të policisë së shtetit kryeministri vlerësoi rritjen e pagave dhe uniformat e reja. “Me buxhetin e vitit të ardhshëm duke filluar nga 1 mars 2017 pagat tuaja jo vetëm do të rriten përsëri, po tanimë ato do të kapin nivelin e lartë të rajonit tonë. Duke mishëruar edhe zbatimin tonë që kemi një polici shteti ndër më të mirat dhe ndër më të mbështeturat financiarisht dhe moralisht në rajon” tha zoti Rama.
Nga ana e tij Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, tre vjet pas marrjes së detyrës e quan policinë shqiptare një histori suksesi. “Policia sipas sondazheve është institucioni më i besuar në vend. Sot çdo tregues flet për një histori suksesi me plot mundësi për të fituar çdo sfidë që kemi parë. Është ulur numri i vrasjeve, vjedhjeve, është rritur lufta kundër drogës, pasuria kriminale e sekuestruar” tha zoti Tahiri. Sipas tij polici i zonës dhe polici vullnetar, janë dy projekte të reja. “Janë disa qindra brenda pak ditësh kërkesa e të rinjve dhe të rejave për të shërbyer disa orë vullnetarisht” tha ministri Tahiri.
Ndërkaq rreth 9000 punonjësit e policisë do të kenë uniformat e tyre të reja. Krijuesit e tyre janë munduar që sipas ngjyrave ata të identifikohen me lehtësi nga popullata. Policia e Qarkullimit Rrugor do të ketë ngjyrën e verdhë si shenjë dallues, Policia e Rendit ngjyrën blu, Shqiponjat ngjyrën e kuqe, ndërsa Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë do të kenë ngjyrën e zezë.