KRYEFAQJA » LAJME » Rama premton përshpejtimin e legalizimeve
Rama premton përshpejtimin e legalizimeve

Rama premton përshpejtimin e legalizimeve

Qeveria e majtë e kryeministrit Rama premton të përshpejtojë procesin e legalizimeve. Gjatë një cermonie për shpërndarjen e këtyre lejeve në Kamëz, i njohur si bastion i demokratëve, zoti Rama tha se gjatë vitit të ardhshëm pritet të legalizohen 145 mijë banesa në të gjithë vendin. “Ata morën votën tuaj e s’ju morën seriozisht. Ne kemi 18 muaj që kemi filluar të japim leje se muajt e parë patëm detyrë të mblidhnim dokumentet tuaja që ishin lënë rrugëve. Ata në 8 vite bënë 21 mijë legalizime, ne në 18 muaj 40 mijë leje” bëri një bilanc zoti Rama. Ai shtoi më tej se “Nuk jemi aspak të kënaqur, nevojat janë më shumë. Vitin e ardhshëm do të bëhen 145 mijë legalizime” premtoi ai.
Legalizimi i ndërtimeve pa leje është një nga temat e nxehta të debatit mes maxhorancës së majtë dhe opozitës së djathtë, debat që vazhdon prej vitesh. Ndërtimet pa leje në Shqipëri kanë nisur menjëherë pas viteve ’90, duke përfituar nga kaosi që solli procesi i tranzicionit. Por ato shpërthyen gjatë dhjetvjeçarit të fundi. Sipas shifrave zyrtare në vend janë mbi 430 mijë ndërtime. Disa ligje të miratuar në vite për t’i dhënë fund këtij fenomeni duket se nuk kanë qenë të frytshëm. Qeveria e kryeministrit Rama ka premtuar t’i japi zgjidhje duke bërë legalizimin falas brenda disa viteve, por opozita e djathtë thotë se ky premtim nuk po mbahet.