KRYEFAQJA » LAJME » Rama pret Metën në kryeministri
Rama takohet me Metën

Rama pret Metën në kryeministri

Maxhoranca e majtë po shqyrton edhe një herë propozimet e opozitës me synim gjetjen e konsensusit për përmiratimin e Reformës Zgjedhore. Të hënën ndërsa ka nisur orari zyrtar, kreu i parlamentit Ilir Meta dhe disa zyrtarë të lartë të LSI, kanë hyrë në zyrën e kryeministrit Edi Rama. Në thelb të diskutimit mes tyre mendohet se është çështja e kushtit të opozitës për vendet e rezervuara në institucionet e larta të drejtësisë.
Një ditë më parë gjatë takimit Meta – Basha, ky i fundit citoi për këtë çështje Komisionin e Venecias. Sipas këtij komisioni, “Nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar të kërkuar për anëtarët jo gjyqtarë të KLGJ, KLP, KPK dhe DHSK, ata mund të zgjedhin një sistem proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës në organet kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e zgjedhjes”. Zoti Basha tha se gjithçka ishte tashmë në dorë të kryeministrit.
Por sipas maxhorancës një gjë e tillë do të kishte vlerë kur çështja e votimit diskutohej mes 3/5 dhe 2/3. Por lëshimi i kryeministrit Rama pak para takimit një javë më parë me zotin Basha, se ishte i gatshëm të pranonte edhe votimin me 2/3-tat, duket se e ka bërë situatën të tejkaluar. Po sot selinë e kryeministrisë e kanë vizituar edhe ambasadori amerikan Lu dhe ambasadorja e BE Vllahutin.