KRYEFAQJA » LAJME » Rama pritet nga Obama, një orë e paharrueshme në Shtëpinë e Bardhë
Rama pritet nga Obama, një orë e paharueshme në Shtëpinë e Bardhë

Rama pritet nga Obama, një orë e paharrueshme në Shtëpinë e Bardhë

Kryeministri Edi Rama është pritur në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti Barak Obama, duke kaluar një orë të paharrueshme sikurse është shprehur kreu i qeverisë shqiptare. Zoti Rama ka dëgjuar nga presidenti Obama dhe zëvendësi i tij Baiden, “fjalë të mira për vendin”. “Shqipëria po merr një rol të rëndësishëm në rajon dhe dinamika e politikës së jashtme ka sjellë një këndvështrim të ri të partnerëve karshi nesh” tha zoti Rama pas takimit për Radion “Zëri i Amerikës”. Në fokusin e bisedimeve ishin Reforma në Drejtësi, lufta kundër terrorizmit dhe reformat. Zoti Rama tha se “Shtëpia e bardhë e kërkon, mbështet dhe e konsideron test shumë të rëndësishëm për Shqipërinë në rrugën e integrimit europian”. I pyetur se kur mund të miratohet Reforma në Drejtësi, pas ashpërsimit të klimës politike në vend, kryeministri shqiptar tha se “Mund të ishte miratuar sepse ajo është gati. Ka patur shumë simulime për t’iu shmangur kësaj reforme, por ne kemi një mesazh i qartë nga populli shqiptar dhe aleatët e partnerët tanë ndërkombëtarë, që kush nuk do reformën hyn në telashe shumë të mëdha” tha kryeministri shqiptar. Megjithatë zoti Rama u shpreh i bindur se Reforma në Drejtësi do të kalojë me konsensusin e të gjithë aktorëve politikë.
Kryeministri shqiptar ka bërë të ditur se iniciativa e fundit e qeverisë shqiptare për implementimin e mësimit të fesë në shkollë, është mirëpritur në Shtëpinë e Bardhë. “Bashkëjetesa fetare duhet promovuar. Ajo është thelb i një shoqërie moderne. Presidenti u interesua me shumë dëshirë dhe me entuziazëm lidhur me idenë e futjes në shkolla të mundësisë për të njohur fenë dhe për ti dhënë të rinjve, instrumentin e domosdoshëm për të mos rënë pre e propagandës esktremiste. Qendra rajonale kundër ekstremizmit do të ngrihet dhe ka marrë mbështetjen Amerikane dhe të USAID. Nuk është një program që prek vetëm shkollat, por ajo prek të gjitha sferat e jetës për të promovuar bashkëjetesën fetare” tha kryeministri Edi Rama.
Vizita e tij në SHBA do të vazhdojë në një takim me drejtues të FBI-së. “Do të ketë një marrëveshje bashkëpunimi me FBI-në. Kjo do të jetë një ndihmë e rëndësishme për të marrë në aspektin hetimor” dha më shumë hollësi rreth saj kryeministri shqiptar Edi Rama.
Nga vizita e tij në Shtëpinë e Bardhë, nënvizohet edhe lajmi se Zv/Presidenti Amerikan Biden do të pres në një vizitë zyrtare Presidentin e ri të Kosovës, Hashim Thaçi.

Para Mbrapa
Rama pritet nga Obama ne Shtëpinë e Bardhë
Rama pritet nga Obama ne Shtëpinë e Bardhë 1
Rama pritet nga Obama ne Shtëpinë e Bardhë 2

Rama pritet nga Obama ne Shtëpinë e Bardhë 3
Rama pritet nga Obama ne Shtëpinë e Bardhë 4
Rama ne SHBA
Para Mbrapa