KRYEFAQJA » LAJME » Rama : Pushteti ynë nuk futet kurrë mes drejtësisë dhe cilitdo ndër ne”
Rama : Pushteti ynë nuk futet kurrë mes drejtësisë dhe cilitdo ndër ne"

Rama : Pushteti ynë nuk futet kurrë mes drejtësisë dhe cilitdo ndër ne”

Kryeministri Edi Rama ka shprehur keqardhjen për dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi, por tha se “pushteti ynë nuk futet kurrë mes drejtësisë dhe cilitdo ndër ne”. Në një deklaratë të gjatë të botuar në faqen e web-it të kryeministrisë, zoti Rama ka kujtuar se kur PS ka zgjedhur Elvis Roshin si kandidat për kryebashkiak të Kavajës, dëshmia e tij e penalitetit ka rezultuar e bardhë, ndërsa me rastin e rikandidimit të tij vitin e kaluar janë, sqaruar në rrugë operative të gjitha akuzat e bëra ndaj tij.
Për kryeministrin socialist “historia e Elvisit, apo Ervinit, ka qenë thjesht njëra ndër historitë e panumërta të djemve që janë përplasur nëpër ato dallgë, duke jetuar mes ëndrrës për t’ia dalë dhe makthit të rikthimit mbrapsht”. “Prandaj edhe nuk e kam fshehur përçmimin tim ndaj hipokrizisë ekstreme të atyre që kanë shumë gjera për t’u turpëruar apo fshehur nga jeta e tyre në politikë dhe i turreshin kryetarit të Bashkisë së Kavajës me gjithfarë shpifjesh e akuzash” shkruan zoti Rama. Ai e ka çmuar si të jashtëzakonshme punën e Elvis Roshit për Kavajën, e cila për kryeministrin “është kthyer në një shembull të shkëlqyer transformimi”.
Daljen në skenë të një fakti të panjohur për Elvis Roshin, zoti Rama e quan fatkeqësi. Por “Besoj po ashtu se edhe vetë dorëheqja e Elvis Roshit sot, u jep të gjithëve një tjetër provë të qartë se në Partinë Socialiste në këta 32 muaj qeverisje ka fituar një parim i panegociueshëm: Kur një fakt i provuar nxjerr në pah një problem që i takon drejtësisë, pushteti ynë nuk futet kurrë mes drejtësisë dhe cilitdo ndër ne” shkruan zoti Rama. “Duke e konsideruar të përfunduar shërbimin e Elvis Roshit si kryetar i Bashkisë së Kavajës, do të vazhdoj ta mbështes me gjithë zemër projektin ambicioz të Rilindjes Urbane të Kavajës” përfundon kryeministri socialist Edi Rama reagimin e tij pas dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi.