KRYEFAQJA » LAJME » Rama: Referendum për mua si kryetar i PS
Rama: Referendum për mua si kryetar i PS

Rama: Referendum për mua si kryetar i PS

Kreu socialist Edi Rama, i ka dhënë fund dyshimeve, hamendjeve, por edhe akuzave lidhur me të ardhmen e tij në krye të PS. Ai u shpreh i gatshëm për një referendum brenda partisë së tij, nëse duhet të vazhdojë të jetë në krye të saj ose jo. “Socialistët me votë të lirë dhe të fshehtë ti përgjigjen pyetjes nëse mandati im duhet të ndërpritet apo të vazhdojë. Nëse mandati im duhet zgjedhur me një anëtar një votë apo nga Kongresi” u tha ai anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të PS. Deklaratat e tij zoti Rama i bëri pasi disa deputetë socialistë kanë shprehur pakënaqësinë se përse zoti Rama nuk zbatoi statutin për rizgjedhjen e tij në krye të partisë, pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013, ku PS dhe aleatët  e saj fituan në mënyrë plebishitare. “Unë besoj se jo vetëm unë, por askush këtu nuk u kujtua për këto çështje statutore as 2 vjet e gjysmë përpara. Nuk e la punën e partisë për neglizhencë të qëllimshme dhe ta harrojnë se ndodhi për autoritarizëm vulgar. U përgatitëm jo pak për të qeverisur vendin. Nuk patëm kohë të merremi me zgjedhjet e partisë pasi kur morëm çelësat e qeverisë u gjendëm në kushtet e emergjencës. S’pata kohën e duhur të bëj detyrën në PS siç bëra detyrën e Kryeministrit” dha spjegimet e tij kreu socialist. Sipas tij  “S’mundet që diskutimi për statutin të kthehet në debat hileqar për qeverinë. Hallall jua bëj dhe njeriun e vetëm që paska frikë të votohet. E drejtë që duhej të kishte funksionuar dhe Asambleja e kryesia, por nuk mund të ketë fakte të ndryshme të qeverisjes” tha kreu i PS zoti Edi Rama. Ndërkohë i gjeti rastin të bënte një bilanc të qeverisjes së tij. “Është fakt që kemi shtruar 207 km rrugë. Është fakt që këta 2 vjet kush ka dalë në pension përfiton deri në 40 % pension më të lartë se la Saliu. Pagat janë rritur me 7.5 %. Zeruam taksën për biznesin e vogël. 170 mijë më shumë të punësuar se në fund të 2013. Nuk gjetëm fushë me lule, por terren të minuar. Po të zgjatem me listën e fakteve mund të vazhdojmë deri nesër jo metaforikisht, por faktikisht!” tha kreu i PS dhe kryeministri i vendit Edi Rama.