KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Rama: Rritja e mëtejshme e pagave domosdoshmëri
Rama: Rritja e mëtejshme e pagave domosdoshmëri

Rama: Rritja e mëtejshme e pagave domosdoshmëri

Kryeministri socialist Edi Rama e ka konsideruar rritjen e mëtejshme të pagave në vend një domodoshmëri. Në një postim në rrjetin social Fejsbuk, zoti Rama ka kujtuar se “falë uljes së taksës mbi rrogë për 97 përqind të të punësuarve, rrogat u rritën mesatarisht 7.3 për qind. Rritja e mëtejshme domosdoshëri” shkruan zoti Rama.
Tre vjet më parë me rastin e ardhjes në pushtet qeveria e majtë vendosi heqjen e taksës së sheshtë dhe aplikimin e asaj progresive, rezultati i të cilës ishte rritja masive e pagave. Gjatë viteve të mëvonshme janë marrë disa vendime për rritjen e pagave, por kryesisht për grupe të caktuara punonjësish. Të tillë janë vendimet me 4 për qind të pagave të mjekëve dhe infermierëve në fund të vitit 2013 dhe në mesin e vitit 2015. Ndërkaq një rritje page u regjistrua vitin e kaluar edhe për ushtarakët.
Opozita nga ana e saj e ka akuzuar qeverinë se ka rritur varfërinë në vend. Sipas saj rënia e ekonomike e vendit nuk ka mundësuar rritjen e pagave.
Aktualisht qeveria shqiptare po punon për hartimin e buxhetit të shtetit për vitin e ardhshëm. Qeveria ka bërë të ditur se ka parashikuar një fond special për pagat që nis nga viti 2017. Referuar këtij programi fondi i vënë në dispozicion për rritjen e pagave vitin e ardhshëm është 10 mln dollarë, ndërkohë që rritja vazhdon edhe në 2018 me 15 milionë dollarë. Me këto shifra, për çdo punonjës administrate parashikohet një rritje rreth 10 dollarë në muaj, ose 116 dollare në harkun kohor të një viti.
Çështja e pagave pa dyshim do të jetë edhe në vemendje të programeve elektorale të partive në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që pritet të mbahen në mesin e vitit të ardhshëm.
Me rreth 45 mijë lekë në muaj Shqipëria hyn ndër vendet europiane me pagën më të ulët mesatare.