KRYEFAQJA » LAJME » Rama: “Rruga e reformave është e vetmja rrugë, të tjerat janë përralla”
Rama: “Rruga e reformave është e vetmja rrugë, të tjerat janë përralla"

Rama: “Rruga e reformave është e vetmja rrugë, të tjerat janë përralla”

Dy vjet pas ardhjes në pushtet, PS dhe aleatët e saj po bëjnë bilancin e qeverisjes së tyre. “Jemi në një moment kyç të mandatit tonë qeverisës, por edhe të rrugës së vendit nga fillimi i përpjekjes për të ndërtuar një shtet funksional” tha kreu i PS dhe kryeministri i vendit Edi Rama nga qyteti i Korçës, gjatë një takimi me nën sloganin “Për të pastruar më tej Shqipërinë”. “Kemi pasur kurajon të ndërmarrim disa reforma, që të tjerët asnjëherë nuk e gjetën”. “Jemi në kushtet kur reformat janë në proces dhe operacioni të thellë në një organizëm të sfilitur dhe gunjëzuar nga një kancer i përhapur në çdo pjesë të tij” tha zoti Rama.
Në fjalën e tij ai rradhiti si arritje përmirësimin e situatës së rendit në vend. “Ishim në një fushatë ku kudo kryefjala ishte krimi. Kishim një situatë krimi që sot shumëkush mund edhe ta ketë harruar. Sot kemi absolutisht të drejtë të themi që e rilindëm Policinë e Shtetit. E rikthyem në krye të detyrës. E rivumë në shërbim të vendit, qytetarëve. Gjatë këtij viti kemi mesatarisht 50 për qind më pak vrasje sesa krahsuar me çdo vit të tranzicionit. Por ama kemi ende punë për ta pastruar më tej Shqipërinë nga krimi, veprimtaritë kriminale në të gjitha aspektet” tha kryeministri Rama.
Duke u ndalur tek ekonomia kreu i qeverisë tha se, “dy vjet më parë morëm një ekonomi që ishte në buzë të humnerës dhe e kërcënuar nga një shpërbërje fiananciare dhe nga kolapsi energjitik. Një vend me një borxh shumë të lartë, por edhe me një borxh të fshehur 720 milionë dollarë që kishte bllokuar ekonominë, pasi qeveria ua kishte marrë kompanive dhe nuk ua kthente. Ndryshuam të famshmen taskën e sheshtë që ishte zhvatje e të dobtëve” tha zoti Rama.
Përsa i përket arsimit, zoti Rama e përshkroi situatën si dramatike. “… në çfarë shkolle dhe Universitetesh shkonin? 18 piramida që jepnin diploma pa vlerë. Por me çfarë tekstesh mësonin fëmijët? Kemi ndërruar tekstet ku kemi shpëtuar fëmijët, mësuesit, prindërit nga një xhungël tekstes që s’kishte lidhje me standardet. Kishim një sistem ku dihej se nuk bëheshe dot mësues pa një teser. Sot nuk jemi në kushtet ku të themi që gjithçka është rozë. Nuk jemi ende aty ku me siguri do të jemi një ditë, në procesin e mbledhjes së fryteve të këtij reformimi” u shpreh optimist kryeminstri.
Lidhur me reformën e shumëpritur në drejtësi, kryeministri Rama tha se ishte i bindur se ajo do të sjellë për ekonominë atë që solli reforma për energjinë apo lufta kundër informalitetit.
Zoti Rama ndërkohë shprehu vendosmërinë për të ecur përpara. “Rruga e reformave është e vetmja rrugë, të tjerat janë përralla. Asnjë vend nuk është ndërtuar duke gënjyer vetveten siç e ka gënjyer vetveten ky vend. Me idenë se këtu do bëhet më mirë nesër, nëse sot nuk pranojmë asnjë sakrificë, nuk ecet asnjë ditë përpara” tha kryeministri shqiptar Edi Rama.