KRYEFAQJA » LAJME » Rama: RTSH shumë shpejt me drejtuesin e ri
Rama: RTSH shumë shpejt me drejtuesin e ri

Rama: RTSH shumë shpejt me drejtuesin e ri

Kryeministri Edi Rama, ishte të hënën i ftuar në emisionin “Shih Programin” të gazetarit Enkel Demi në Televizionin Shqiptar, një nga emisionet kryesore dhe më të tij. Në rreth dy orë bashkëbisedimi, zoti Rama ka folur për një sërë çështjesh që preokupojnë qeverinë e tij dhe opinionin.
Biseda nisi rreth RTSH si media e vetme publike në Shqipëri, për të cilin zoti Rama veç vërejtjeve të tij të njohura, premtoi se do të vihet në shërbim të publikut. Shumë shpejt RTSH do të ketë drejtuesin e ri pas një mungese prej më shumë se dy vjet e gjysëm, tha ai. “I kemi dhënë fund këtij stanjacioni të krijuar nga pakica bllokuese, duke i hapur rrugë kalimit në Kuvend nëpërmjet një zgjedhje më të arsyeshme, njësoj si zgjedhja e Presidentit me shumicë të thjeshtë, kur dështon ajo e cilësuar” tha zoti Rama duke shtuar se “Na duhet një TVSH publike dhe konkuruese, që të funksionojë në bazë të nevojës për t’u menaxhuar me talent dhe kurajo e aftësi të mëdha”.
Një temë mjaftë e rëndësishme e bisedës ishte Reforma në Drejtësi, veçanërisht zhvillimet e fundit pas opinionit përfundimtar të Komisionit te Venecias. Zoti Rama tha se mbi këto rekomandime do të arrihen pikëtakimet e nevojshme me opozitën, duke shpresuar se reforma do të kalojë brenda muajit mars. “Ne do të synojmë dakordësinë me opozitën që reformën ta kalojmë me planin A, me dakordësinë. Nëse jo, vjen plani B. Ju nuk duhet ta prisni planin B, duhet të uroni që të bëhët plani A” tha kryeministri Rama. “Jam shpresëplotë që reforma do të kalojë. Kush identifikohet para shqiptarëve si shkak për moskalimin e reformës do të përvëlohet në zgjedhjet e ardhshme dhe unë besoj se të gjitha partitë parlamentare e dinë këtë” paralajmëroi kreu i maxhorancës.
Në rrafshin e zhvillimeve rajonale dhe europian, biseda në “Shih Programin” u fokusua tek kriza e refugjatëve. Zoti Rama këmbënguli ne nevojën e krijimit të një plani europian, ku çdo vend përfshirë dhe Shqipërinë, të marri pjesën që i takon. “Ne nuk po mbyllim kufirin, por po kërkojmë planin euriopian. Nuk delirojmë duke deklaruar se do të bëjmë më shumë sesa mundemi” tha zoti Rama. Sipas tij “Duhet që Europa të ndërtojë zonat pritëse, të ndërtojë zonat e mirëseardhjes në Europë. Duhet të administrohen nga Europa dhe të bëhet një rregjistrim më i organizuar i emigrantëve”.
Gjatë intervistës në “Shih Programin”, kreu i qeverisë Edi Rama ju është përgjigjur pyetjeve të gazetarit Enkel Demi rreth procesit të dekriminalizimit, funksionimit të koalicionit qeverises, zgjedhjet e pritshme brenda Partisë Socialiste, zhvillimet në Kosovë, por ka shuar disi edhe kuriozitetin e kuptueshëm rreth jetës së tij private.