KRYEFAQJA » LAJME » Rama: Samiti i Parë i Diasporës, urë mes shqiptarëve kudo në botë
Rama: Samiti i Parë i Diasporës, urë mes shqiptarëve kudo në botë

Rama: Samiti i Parë i Diasporës, urë mes shqiptarëve kudo në botë

Në nëntor të këtij viti në Tiranë do të mbahet Samiti i Parë i Diasporës. Lajmi është dhënë nga kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me komunitetin shqiptar në New York, ndërsa ai ndodhet atje për një vizitë zyrtare. “Për të fuqizuar lidhjet e diasporës shqiptare kudo nëpër botë me vendim amë, në nëntor të këtij viti në Tiranë do të mbahet Samiti i parë i Diasporës” tha zoti Rama, ndërsa u shpreh i bindur se ky samit do të krijojë një marrëdhënie të re, përmes hapave konkretë bashkëpunimi.”E shkuara jonë e hidhur dhe e përçarë, dekada të mungesës së komunikimit, vrulli për të zbuluar botën dhe vështirësitë e tranzicionit në rindërtimin e shtëpisë sonë na kanë mbajtur shpesh të veçuar. Kjo nuk do të ndodhë më” u tha kryeministri shqiptar bashkëkombasve të tij në Nju Jork.
Ai nënvizoi se samiti do të udhëhiqet nga nevoja për të ndërtuar një urë midis shqiptarëve, brenda dhe jashtë, për të bërë më shumë në ruajtjen e gjuhës, imazhit dhe zhvillimit të identitetit tonë, si dhe nga nevoja për të ngritur strukturën e bashkëpunimit. “Do të jetë një takim pa asnjë dallim për atë që jemi, nga vijmë, çfarë besojmë, apo çfarë partie preferojmë. Do të jetë një takim i gjallëruar nga dëshira për t’u bashkuar përmes ideve, hapave konkretë, planeve të veprimit, duke u udhëhequr nga nevoja për të ndërtuar një urë midis nesh, shqiptarëve jashtë dhe atyre në Atdhe. Do të jetë momenti për të treguar se ne mund të jetojmë në pjesë të ndryshme të botës, por të ndihemi një; mund të jemi të shpërndarë në shtete të ndryshme, por gjithmonë të bashkuar rreth vlerave tona, parimeve tona, vendosmërisë sonë kulturore dhe shpirtërore, gjuhës dhe përkatësisë sonë, identitetit tonë unik shqiptar” tha në fjalën e tij para diasporës shqiptare në SHBA. “Me përpjekjet tona të përbashkëta mund të maksimizojnë progresin dhe mirëqenien, duke rritur shkëmbimet tregtare dhe lidhjet ekonomike” tha kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë takimit me komunitetin shqiptar në New York.