KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Rama : Së shpejti aforfetë marrin fund

Rama : Së shpejti aforfetë marrin fund

Kryeministri Edi Rama ka premtuar heqjen deri në fund të qershorit të tarifave aforfe për konsumatorët. Deklaratën e tij zoti Rama e bëri gjatë një vizite të martën në zonën e Spitallës, ku inspektoi rrjetin e ri elektrik. Investimi kap vlerën disa milionë euro dhe premton furnizimin pa ndërprerje të zonës me energji elektrite, pasi banorët iu përgjigjën shlyerjes së detyrimeve për energjinë e konsumuar.
Kohët e fundit OSHEE është vënë në qendër të kritikave nga opozita se po spekulon me faturat aforfe duke rënduar mbi popullatën, veçanërisht familjet e varfëra. PD e opozitës ka premtuar se nëse ajo vjen në pushtet do të paguajë një fashë prej 200 kilovatorë në muaj për familjet e varfëra dhe do të uli çmimin e energjisë të cilin ajo thotë se e ka ngritur qeveria socialiste.
Reforma në fushën e energjisë, është ndër më të rëndësishmet që ka ndërmarrë qeveria e kryeministrit Edi Rama që kur ajo erdhi në pushtet në shtator 2013, pas tetë vjet qeverisjeje të demokratëve. Nga një sektor me borxhe dhe humbje të mëdha, energjitika shqiptare ka filluar të mëkëmbet duke u bërë një sektor ndihmës për ekonominë shqiptare.