KRYEFAQJA » LAJME » Rama: Pres propozimin, Basha : Autorizo negociatorët
Rama sërish letër Bashës, "Koha nuk pret, sfida është historike"

Rama: Pres propozimin, Basha : Autorizo negociatorët

Kryeministri socialist Edi Rama i ka drejtuar një tjetër ofertë kreut të PD në opozitë Lulzim Basha duke i deklaruar se është gati të mbështes pa asnjë vërejtje, çdo propozim që ai do të bëjë, për ta kaluar me sukses Reformën në Drejtësi. Kjo bëhet e ditur në një letër që zoti Rama i ka drejtuar zotit Basha ditën e shtunë, përmbajtja e së cilës u bë e njohur në mesditë.
Letra e cila është shkruar me një gjuhë të kujdeshme, merr në konsideratë zhvillimet e orëve të fundit, madje veçon reagimin e ashpër të ndërkombëtarëve, ambasadorit amerikan Lu dhe të dërguarit të qeverisë gjermane.  “Nuk do të ndodhte kurrë që bota demokratike të shënjestronte opozitën këtu, në vendin tonë të vogël, përmes zërave më autoritarë të saj, nëse rëndësia e Reformës në Drejtësi nuk do të ishte e jashtëzakonshme dhe jo vetëm për Shqipërinë në vetvete, po edhe për Shqipërinë si një vend aktualisht joproblematik i Ballkanit Perëndimor” shkruan zoti Rama. Sipas tij “Duket qartë që rrjedha e deritanishme e procesit po i bie ndesh, në një formë haptazi të papranueshme për ta”.
Kreu socialist shpreh frikën se ajo “Çka rrezikojmë të humbasim në shumë drejtime si vend dhe si popull, nëse nuk e kalojmë Reformën në Drejtësi, është vërtet jashtëzakonisht shumë!”. “Nxjerrja si pengesë e fundit për votimin e reformës, e shkeljes së sovranitetit tonë kushtetues për shkak të mënyrës së përfshirjes së ndërkombëtareve në procesin e vetingut, është vërtet e tepërt dhe plotësisht vetëndëshkuese; jo thjesht e vetëm për Partinë Demokratike, po për të gjithë pa përjashtim dhe për Shqipërinë në radhë të parë” vlerëson kreu socialist Rama.
“Ne nuk duhet ta lejojmë kurrësesi që Shqipëria të turpërohet botërisht, si vendi ku Kuvendi nuk kaloi reformën në drejtësi sepse deputetët nuk donin përfshirjen reale të partnerëve të vendit tonë, në procesin e pastrimit të sistemit të drejtësisë nga gjykatësit e prokurorët e korruptuar!” shkruan zoti Rama. “Kjo është një nga ato njolla që nuk hiqen për një kohë shumë të gjatë ndërkombëtarisht dhe që kushtëzojnë cilësinë e marrëdhënieve më të rëndësishme ndërkombëtare të vendit’ shprehet ai.
Në këtë konteks zoti Rama pyet: “Si mund t’ia bëjmë ne këtë vendit tonë, njerëzve tanë, fëmijëve të këtij vendi?!”. “Duke Ju uruar gëzuar ditëlindjen e vajzës Suaj, dua të nënvizoj këtu në fund, se jam gati të mbështes pa asnjë vërejtje, çdo propozim që Ju do të bëni, për ta kaluar me sukses këtë reformë jetike e për ta shpëtuar vendin nga njollosja e pashmangshme dhe rreziku real i regresit demokratik në rast dështimi” përsërit ftesën zoti Rama. Ndërsa nuk harron të kujtojë se “çdo propozim duhet të jetë i pranueshëm për aleatët tanë strategjike, SHBA/BE”. “Koha nuk pret, sfida është historike” mbyll letrën e tij kreu socialist dhe kryeministri Edi Rama.
Por për kreun e opozitës Lulzim Basha letra e zotit Rama është shfaqje publike. “Zoti Rama, Leri letrat e hapura dhe shfaqjet publike. Reforma në drejtesi kërkon seriozitet dhe impenjim, jo tallje e as manovra politike. Propozimi yne bazohet 100 përqind tek rekomandimet e Venecias të cilat PD dhe PS i kanë pranuar si udherrëfyesin e vetëm. Autorizo negociatorët e PS ti rikthehen negociatave për zgjidhje. Negociatorët e PD-së janë, siç e dini, të gatshëm që sot” përfundon zoti Basha në Fjesbuk. Më parë me anë të një deklarate për shtyp Partia Demokratike akuzoi maxhorancën se prej 3 vitesh vendi po qeveriset me një mentalitet sundues dhe sipas kësaj partie. “Lepuri i madh i hajdutërisë e korrupsionit ka gjetur strehë në barkun e Edi Ramës, ndaj ai nuk do drejtësi, por gjykatës e prokurorë që do të mbyllin dosjet e tij të panumërta të korrupsionit” tha zëdhënësaj e PD Ina zhupa.