KRYEFAQJA » LAJME » Rama : Shqipëria beson tek Bashkimi Europian
Rama në Vjenë në samitin “Migrimi përballë rrugës ballkanike”

Rama : Shqipëria beson tek Bashkimi Europian

“Shqipëria beson tek Bashkimi Europian dhe nuk ka nevojë për referendum për t’iu bashkuar kontinentit”. Deklarata është bërë nga kryeministri shqiptar Edi Rama në Forumin Strategjik të Bled-it, në një panel me Presidentin e Sllovenisë, Presidenten e Kroacisë dhe Kryetarin e Senatit të Kanadasë.
Kryeministri Rama kërkoi që sfidat globale të shihen realisht si të tilla kur përformohen përpjekjet e përbashkëta për zgjidhje. Parë kjo në kuadrin e krizës së refugjatëve, shembulli i vendeve të vogla të Ballkanit duhet të sensibilizojë më shumë vendet e pasura europiane, ka apeluar kryeministri shqiptar. “Bindja ime është se ne po përballemi në nivel kombëtar me gjëra që janë gjithnjë e më shumë jashtë mundësive tona për t’i kontrolluar dhe të cilat duhet të kontrollohen në nivel global dhe me më shumë ndërveprim” tha zoti Rama. “Për shkak të vendndodhjes së tyre gjeografike, Sllovenia, Maqedonia, Sllovenia, Serbia, Kroacia, Greqia sidomos, duhet t’i marrin të gjithë, dhe për shkak të vendndodhjes gjeografike, disa vende të pasura të thonë “jo”. Ku janë vlerat europiane këtu? Çfarë kuptimi ka e gjithë kjo? Dhe ata mendojnë në mënyrë të gabuar se duke i mbajtur jashtë kufijve të tyre, nuk do të preken. E kundërta është e vërtetë” tha me tone shqetësuese, por edhe kritike kryeministri shqiptar Edi Rama.
Në kontekstet e zhvillimeve europiane për të ardhmen e BE, kryeministri shqiptar është përfshirë edhe në diskutimet për projektin europian. “Këta njerëz që thonë “ta lëmë Europën, të shkojmë në kështjellën tonë dhe të mbrohemi nga barbarët”, ata nuk e kanë aspak idenë sesi do e zhvillojnë ekonominë në kështjellën e tyre. E dyta, ata nuk e marrin aspak parasysh sesi dhe sesa shumë ka ndryshuar struktura e botës dhe natyra e armikut. …Askush nuk mund të ndërtojë një vend më të sigurt, nëse nuk do të jemi të ndërlidhur” paralajmëroi zoti Rama. “Në këto diskutime, Shqipëria beson tek Bashkimi Europian dhe një referendum për t’iu bashkuar BE-së do të ishte njëlloj si të pyesje, nëse duam të jetojmë në histori, apo të dalim nga historia” tha kryeministri shqiptar Edi Rama në Forumin Strategjik të Bled-it.