KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Rama: Shqipëria ka hyrë në një nivel të ri të ligjshmërisë ekonomike
Rama: Shqipëria ka hyrë në një nivel të ri të ligjshmërisë ekonomike

Rama: Shqipëria ka hyrë në një nivel të ri të ligjshmërisë ekonomike

Shqipëria ka hyrë në një nivel të ri të ligjshmërisë ekonomike, ka vlerësuar kryeministri socialist Edi Rama, pak më shumë se një muaj e gjysëm nga nisja e operacionit kundër informalitetit. Duke folur të premten në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, zoti Rama tha se deri më 18 tetor janë kryer 94 mijë kontrolle në gjithë vendin.
“Vetëm në këtë periudhë prej 48 ditësh kemi tetëfishim të numrit të pajisjeve fiskale që raportojnë në sistemet e tatimeve, ose 700 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2014. Janë lidhur 17 mijë kontrata të reja për pajisje fiskale, ose 1 mijë për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, me përjashtim të karburanteve. Ka një rritje prej 55 milionë të numrit të kuponëve tatimorë të lëshuar, ndërsa xhiroja e deklaruar është rritur me 52 për qind, çka përbën një arsye të fortë për të besuar se potenciali është ende gjerësisht i pashfrytëzuar” tha zoti Rama.
Një tjetër e dhënë inkurajuese është dhe numri në rritje i biznesit të regjistruar. Sipas zotit Rama nga 1 shtatori deri më 18 tetor janë regjistruar 25 mijë e 457 biznese të reja më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë”.
Kryeministri tha se numri i punonjësve të formalizuar ka arritur një shifër sipas tij “absolutisht spektakolare”. “Në muajin shtator janë regjistruar 82 mijë e 972 punonjës të rinj dhe ende pa u mbyllur deklarimi për tetorin kemi 13 mijë e 560 punonjës të rinj më shumë se në shtator. Do të thotë që në total, vetëm në këtë periudhë, janë 66 mijë e 532 vende të reja pune të formalizuara” bëri të ditur zoti Rama.
Kryeministri socialist u shpreh optimist edhe lidhur me situatën në bujqësi. “Jemi në kushtet e një zhvillimi historik sa i përket zhvillimit të bujqësisë”. “Kemi 10.500 fermerë që kanë paraqitur kërkesat për t’u pajisur me NIPT dhe në një kohë rekord, për të mos u penguar punën, u janë dorëzuar NIPT-et 9.200 fermerëve. Dhe fare pranë përmbylljes janë NIPT-et për 1.300 të tjerët” tha zoti Rama. Ai u bëri thirrje fermerëve që synojnë të përfitojnë nga mbështetja me grante, me kredi dhe programet e tjera që të pajisen me NIPT, pasi mospajisja i bën ata të pakualifikueshëm.
Kryeministri Rama i konsideroi si shumë pozitive të dhënat e xhiros për shtatorin. Kemi një biznes të vogël me rritje aboslute prej 86 për qind dhe kemi një biznes të vogël që kthehet në subjekt të TVSH-së me 74 për qind, tha ai. Sipas kryeministrit ulja e informalitetit ka sjellë edhe parakushtin për një rivlerësim real të biznesit të vogël dhe rivlerësim real të çdo subjekti që futet në skemën e TVSH-së. Ndërsa biznesi i madh ka një rritje me 35 për qind kundër së njëjtës periudhë të një viti më parë.
Kryeministri Rama u ndal edhe tek problemi i debatueshëm i nivelit të taksave. Ai tha se qeveria do që në një afat të arsyeshëm të sjellë një ulje të taksave, por për ta pasur këtë duhet të ketë një rritje të kontributeve. “ Sot në rajon, ne jemi vendi me kontributet më të vogla nga detyrimet tatimore në GDP” bëri të ditur zoti Rama.